← Kthehu te Ballina

Vdiq në aksident, mbahen homazhe për Shefin e Sektorit të Krimeve të Rënda të Vlorës

ShpërndajeFacebookWhatsApp
Vdiq në aksident, mbahen homazhe për Shefin e Sektorit të Krimeve të Rënda të Vlorës

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier u zhvilluan homazhe në nderim të Kryekomisar Ermal Lulajt, i cili humbi jetën në një aksident rrugor.

Në homazhe mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit për media të Policisë së Shtetit, në nderim të kujtimit të Lulajt u bashkuan gjithashtu kolegë, miq, qytetarë dhe përfaqësues të medias, raporton IndeksOnline.

Sipas njoftimit, Hita, iu përcolli familjarëve ngushëllimet më të sinqerta, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e parakohshme të Ermalit.

“Ai vlerësoi përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij shumëvjeçar në shërbim të Policisë së Shtetit, duke theksuar se Ermal Lulaj do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje nga kolegët dhe i gjithë komuniteti i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i siguroi familjarët dhe fëmijët e Ermalit se do të kenë përherë mbështetjen e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.

Ermal Lulaj iu bashkua Policisë së Shtetit më 28 dhjetor 2006 dhe për afro 20 vjet i shërbeu me përkushtim këtij institucioni, duke kontribuar në disa struktura policore, kryesisht në fushën e hetimit të narkotikëve, në qarqet Fier, Berat dhe Korçë.

Në detyrën e tij të fundit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, mbante gradën Kryekomisar dhe shërbente si Shef i Sektorit të Krimeve të Rënda.

“Ndarja e tij nga jeta, në moshën 41-vjeçare, është një humbje e rëndë për familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin e Policisë së Shtetit. U prehsh në paqe, miku, shoku dhe kolegu ynë!”.

Burimi: indeksonline.net

Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.

Lajme të ngjashme