← Kthehu te Ballina

Roma e dëshiron ta blindojë Malenin me kontratë të re, pas katër golave ndaj Parmës

ShpërndajeFacebookWhatsApp
Roma e dëshiron ta blindojë Malenin me kontratë të re, pas katër golave ndaj Parmës

Roma dëshiron ta blindojë Donyell Malenin me një kontratë të re sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi paraqitja e tij me katër gola kundër Parmës e ka vendosur atë të vetëm në krye të listës së golashënuesve në Serie A.

Sipas “TuttoMercatoWeb”, bisedimet me sulmuesin holandez tashmë kanë nisur dhe klubi italian synon ta finalizojë marrëveshjen e re për të shmangur interesimin e mundshëm nga klubet e tjera.

Malen i shënoi katër nga pesë golat e Romës në fitoren 5-1 ndaj Parmës të shtunën, në stadiumin “Tardini”.

Kështu, holandezi ka arritur në kuotën e 12 golave në 11 ndeshje kampionale këtë sezon, tri më shumë se Gustavo Varela i Monzas. Ai ka shënuar gjithsej mbi 30 gola në 35 ndeshje që prej transferimit nga Aston Villa.

Roma dëshiron gjithashtu ta shpërblejë përkushtimin që Malen tregoi për t’iu bashkuar klubit. Sulmuesi pranoi uljen e pagës për t’u larguar nga Aston Villa dhe për të punuar nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit, ndërsa që nga atëherë ka shkëlqyer me fanellën e skuadrës italiane.

Me kontratën e re, Malen pritet të bëhet futbollisti më i paguar i Romës. Ai do të përfitonte më shumë se katër milionë euro në sezon, duke kaluar edhe portierin Mile Svilar.

Roma kishte paguar gjithsej 27 milionë euro për transferimin e tij, duke përfshirë fillimisht tarifën e huazimit dhe më pas shumën për blerjen përfundimtare të kartonit.

Malen do t’i mbushë 28 vjeç në janar dhe vlera e tij është rritur ndjeshëm që prej ardhjes në kryeqytetin italian. Kjo mund ta shndërrojë atë në një aset të rëndësishëm financiar për klubin, në rast se në të ardhmen vjen ndonjë ofertë e majme.

Megjithatë, për momentin, Roma dhe trajneri Gasperini nuk kanë asnjë synim për ta lënë të largohet./GazetaExpress/

Burimi: www.gazetaexpress.com

Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.

Lajme të ngjashme