← Kthehu te Ballina
Lajme 24/10/2026 13:32

Zjarr në “Folenë e Shqiponjës”, vendpushimi i Hitlerit në Alpe, arrestohet një person

Zjarr në “Folenë e Shqiponjës”, vendpushimi i Hitlerit në Alpe, arrestohet një person

Policia në landin jugor gjerman të Bavarisë ka ndaluar një të dyshuar pas shpërthimit të një zjarri në vendstrehimin malor alpin të Adolf Hitlerit, Kehlsteinhaus, i njohur gjithashtu si “Foleja e Shqiponjës”.

Qendra e emergjencave në Traunstein mori një alarm për zjarr nga ndërtesa në orën 21:15, sipas kohës lokale të premten, ndërsa zjarrfikësit, pas mbërritjes në vendngjarje, e gjetën ndërtesën të përfshirë nga flakët, raporton BBC.

Terreni i vështirë po pengonte përpjekjet për shuarjen e zjarrit, i cili vazhdonte të digjej edhe në orët e para të së shtunës, njoftoi policia. Rreth 200 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës janë angazhuar në operacion. Nuk ka raportime për persona të lënduar.

Vendstrehimi, i cili ndodhet mbi qytetin e Berchtesgadenit, ishte një nga disa ndërtesat në atë zonë që u përdorën nga diktatori nazist dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Hitleri dhe zyrtarët e lartë nazistë përdorën rezidencën e tij të afërt, Berghof, për të planifikuar pushtimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1941. I gjithë kompleksi konsiderohej një nga shtabet e tij kryesore.

Ai e përdori gjithashtu zonën si sfond për filmat propagandistikë, të cilët e paraqisnin si një njeri që i donte kafshët dhe natyrën.

Ka nisur një hetim penal për të përcaktuar nëse i dyshuari ka lidhje me zjarrin.

E përfunduar nga nazistët në vitin 1938, “Foleja e Shqiponjës” i shpëtoi shkatërrimit pas humbjes së tyre në vitin 1945.

Që atëherë, ajo është shndërruar në një destinacion të njohur turistik dhe strehon një bujtinë malore.

Sipas faqes së saj zyrtare, ajo shërben si “një kujtesë paralajmëruese për humnerat e diktaturës çnjerëzore naziste”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hitleri dhe pasuesit e tij ishin përgjegjës për vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve, përfshirë vrasjen masive të hebrenjve evropianë. Homoseksualët, romët, personat me aftësi të kufizuara dhe pakicat etnike u dërguan në kampet e përqendrimit, ku u vranë.

Reklamë