“Zëra të dëgjuar” në Prishtinë, përdoruesit e shërbimeve të shëndetit mendor votojnë tri kërkesa
Më 8 tetor, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Qendra e Shëndetit Mendor me Shtëpitë për Integrim në Bashkësi – Prishtinë organizoi në Kasollet e Zanave aktivitetin “Zëra të dëgjuar”, me rreth 100 pjesëmarrës: përdorues të shërbimeve të Qendrave të Shëndetit Mendor në Prishtinë dhe Podujevë, banorë të Shtëpive për Integrim në Bashkësi në Bresje dhe Drenas, familjarë dhe staf.
Sipas njoftimit të Qendrës së Shëndetit Mendor në kryeqytet, këtë herë, qëllimi nuk ishte vetëm të organizonim një ditë për përdoruesit e shërbimeve, por ta ndërtonim atë bashkë me ta.
Gjatë ditës, pjesëmarrësit morën role aktive në organizimin dhe udhëheqjen e programit, ndanë përvoja, recituan, kënduan, paraqitën një psikodramë të përgatitur bashkë me stafin dhe morën pjesë në aktivitete tradicionale, sociale e rekreative.
“Në frymën e rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për përfshirjen e personave me përvojë të jetuar në vendimet që i prekin, nisëm programin vjetor “Zëra të dëgjuar”. Hapin e parë e ndërmorëm përmes propozimit dhe votimit, duke u mundësuar përdoruesve të shërbimeve dhe banorëve të përcaktojnë vetë përparësitë për përmirësimin e shërbimeve” thuhet në njoftimin e aktivitetit.
Qendra është zotuar t’i ndjekë tri përparësi gjatë vitit me hapa, përgjegjësi dhe afate konkrete, duke i mbajtur përdoruesit e shërbimeve, banorët dhe familjarët pjesë të procesit dhe të informuar për ecurinë.
Mes të tjerash, në njoftim thuhet:
Përdoruesit e shërbimeve dhe banorët përgatitën kutinë e ideve dhe kutinë e votimit. Përmes kutisë së ideve u mblodhën propozime, ndërsa me votë ata përcaktuan tri kërkesat me më shumë mbështetje:
Më shumë mundësi për punësim në komunitet.
Pasurimi i menysë ushqimore sipas nevojave dhe preferencave të përdoruesve të shërbimeve.
Më shumë aktivitete sociale dhe rekreative.
Qendra është zotuar t’i ndjekë këto tri përparësi gjatë vitit me hapa, përgjegjësi dhe afate konkrete, duke i mbajtur përdoruesit e shërbimeve, banorët dhe familjarët pjesë të procesit dhe të informuar për ecurinë.
Një hap konkret u ndërmor po atë ditë: Qendra dhe Kasollet e Zanave u dakorduan për të mundësuar punësimin e dy përdoruesve të shërbimeve pranë këtij biznesi. Përzgjedhja do të bëhet bashkërisht, sipas interesimit dhe zgjedhjes vullnetare të tyre, në role të përshtatshme pune.
Sepse përfshirja në komunitet nuk përfundon me ofrimin e shërbimit. Ajo merr kuptim kur një person ka zë, zgjedhje, rol, mundësi dhe hapësirë reale për të marrë pjesë në jetën e komunitetit.
Në këtë 10 Tetor, mesazhi ynë është i thjeshtë:
Të dëgjojmë. Të vendosim bashkë. Të veprojmë.
Falënderojmë përdoruesit e shërbimeve, banorët dhe familjarët për besimin dhe kontributin, stafin për përkushtimin dhe Kasollet e Zanave për mikpritjen dhe bashkëpunimin.
Momente nga aktiviteti “Zëra të dëgjuar”