Ylli i Real Madridit përfundon në gjyq pas sulmit të rëndë të qenve të tij ndaj një 17-vjeçari
Gjykata penale në Madrid ka caktuar 21 dhjetorin si datën kur do të nisë gjyqi ndaj mbrojtësit të Real Madridit, Ferland Mendy, i akuzuar për neglizhencë pas një sulmi të rëndë nga qentë e tij ndaj një të mituri 17-vjeçar.
Prokuroria kërkon që futbollisti francez të gjobitet me 1,200 euro dhe të paguajë 5,700 euro dëmshpërblim për të dëmtuarit.
Sipas një vendimi procedural të 1 tetorit, të raportuar nga gazeta spanjolle Sport, seanca do të mbahet në gjykatën e Madridit, në rrugën Julian Camarillo. Në gjyq janë thirrur Mendy, dëshmitarët, ekspertët dhe viktimat. Futbollisti do të dëshmojë me ndihmën e një përkthyesi të frëngjishtes.
Ngjarja ka ndodhur më 4 janar 2023, kur katër qen të Mendy dolën nga prona e tij në Alcobendas, pasi porta nuk ishte mbyllur siç duhej.
Njëri prej qenve iu afrua një gruaje që po shëtiste qenin e saj dhe e sulmoi atë aq rëndë, sa veterinerët u detyruan ta eutanizonin.
Situata u përkeqësua kur një 17-vjeçar, i cili po shëtiste qenin e tij dhe e pa sulmin, ndërhyri për ta ndihmuar gruan. Ai u bë viktima e radhës.
Qeni e kafshoi me forcë në këmbën e majtë, duke i shkaktuar katër plagë, disa prej të cilave deri në dy centimetra në diametër. I riu iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe iu deshën 30 ditë për t’u shëruar.
Edhe qeni i tij pësoi lëndime, pasi u kafshua në qafë dhe në gjoks, ndërsa humbi një dhëmb. Atij iu desh t’i nënshtrohej një operacioni urgjent.
Prokuroria e akuzon Mendy për neglizhencë, duke pretenduar se ai nuk tregoi kujdesin e duhur dhe nuk mori masat e nevojshme për të siguruar që porta të ishte mbyllur mirë pasi automjeti kishte hyrë në pronë.
Të rejat Lexo më shumë
Të rinjtë në Prrenjas ndalin kamionin me targa serbe dhe e mbulojnë me flamurin kombëtar
Hakim pa asnjë klikim - softueri izraelit i spiunazhit përhapet përmes reklamave online
Protestat në Shqipëri/ Luizi Ejlli: Populli po injorohet