Yamal dhe Pedri në krye, 10 lojtarë të Barcelonës e “sfidojnë” vendimin e Flickut para El Clásicos
Hansi Flick ua kishte dhënë lojtarëve të Barcelonës një ditë pushimi pas ndeshjes me Paris Saint-Germainin, por dhjetë prej tyre vendosën të paraqiteshin vullnetarisht në qendrën stërvitore të klubit, për ta vazhduar punën para përballjes me Real Madridin.
Sipas gazetës katalanase “Sport”, në mesin e lojtarëve që shkuan në Ciutat Esportiva Joan Gamper ishin Lamine Yamal, Pedri, Fermín López, Gerard Martín, Xavi Espart dhe portieri Wojciech Szczęsny.
Aty u paraqitën edhe disa futbollistë të lënduar, të cilët vazhduan programet e tyre të rikuperimit., përcjell “Gazeta Express”.
Szczęsny, shembull i përkushtimit
Barcelona ishte kthyer nga Parisi rreth orës 03:30 të mëngjesit, pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër PSG-së.
Pas seancës së rikuperimit të së mërkurës, Flick vendosi t’u jepte lojtarëve një ditë pushimi, në mënyrë që të rikuperoheshin fizikisht para El Clásicos të së dielës.
Megjithatë, disa prej tyre preferuan të vazhdonin punën. “Sport” e veçoi veçanërisht Szczęsnyn, i cili njihet për përkushtimin e tij dhe paraqitet rregullisht në qendrën stërvitore, edhe kur seancat janë fakultative.
Në stërvitje u paraqitën edhe Pedri, Fermín López dhe Gerard Martín, të cilët shfrytëzuan ditën për të punuar në aspektin fizik.
Të lënduarit punojnë për rikthim, Koundé mbetet në dyshim
Roony Bardghji, Andreas Christensen, Eric García dhe Dani Olmo vazhduan programet e rikuperimit nga lëndimet.
Edhe Jules Koundé u paraqit në qendrën stërvitore, duke bërë përpjekje për t’u rikthyer në kohë për duelin me Real Madridin, megjithëse aktivizimi i tij ende nuk është i sigurt.
Vëmendje të veçantë mori edhe i riu Xavi Espart, i cili shënoi kundër PSG-së dhe zhvilloi një paraqitje shumë të mirë.
Pavarësisht ditës së pushimit, ai vendosi të vazhdonte punën, duke treguar përkushtimin e tij.
Barcelona do t’i zhvillojë seancat e fundit kolektive të premten dhe të shtunën, përpara përballjes së shumëpritur me Real Madridin.
Të rejat Lexo më shumë
Parisi zgjat orarin e kufizimit të lëvizjes, Marseja e Lioni ndalojnë protestat
Yamal ndahet nga delegacioni i Barcelonës për Topin e Artë: Këtë herë udhëton i vetëm drejt lavdisë
Kthimi i ligjit të Speciales, Ramadani: Kushdo që është përfshirë në këtë lojë do ta trajtojmë si kundërshtar të UÇK-së