← Kthehu te Ballina
Politikë 03/10/2026 23:01

Williamson: Do të isha i befasuar nëse Gjykata Speciale vazhdon me raste të tjera

Williamson: Do të isha i befasuar nëse Gjykata Speciale vazhdon me raste të tjera

Williamson: Do të isha i befasuar nëse Gjykata Speciale vazhdon me raste të tjera

Clint Williamson, ish-kryeprokuror i Task Forcës Speciale Hetimore, ka folur zhvillimet e fundit dhe punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në një intervistë për BIRN, Sai tha se vendimi i Gjykatës Speciale, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përputhen në masë të madhe me përfundimet paraprake të hetimit të tij në vitin 2014, ndonëse kufizimet juridike kaluan fokusin ekskluzivisht te periudha e konfliktit të armatosur.

Williamson thot se gjykata nuk ishte ngritur kundër UÇK-së si organizatë, por për të hetuar përgjegjësinë individuale të ish-krerëve të saj, duke theksuar se akuzat për një ndërmarrje të përbashkët kriminale i referohen vetëm akteve të veçanta e jo vetë rezistencës.

Intervista e plotë:

Xhorxhina Bami, BIRN: Në shtator 2011, BE-ja krijoi Task Forcën Speciale Hetimore për të hetuar pretendimet e raportit të Dick Martyt dhe ju e udhëhoqët këtë Task Forcë si kryeprokuror. A mund të përmblidhni pak cilat ishin gjetjet kryesore të hetimit tuaj në atë kohë?

Clint Williamson: Mirë. Siç e thatë, unë shërbeva si kryeprokuror i Task Forcës Speciale Hetimore, e cila në të vërtetë ishte trupi paraardhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe unë isha në këtë rol për tre vite, nga shtatori i vitit 2011 deri në gusht të vitit 2014.

Në fund të korrikut 2014, ne bëmë publike gjetjet tona paraprake nga hetimi.

Ato kryesisht përputheshin me atë që ishte në aktgjykimin që sapo u shpall nga Gjykata Speciale e Kosovës.

Kështu, ne gjetëm se kishte pasur një numër të rasteve të trajtimit çnjerëzor, torturës dhe vrasjeve që u drejtuan kundër pakicave etnike në Kosovë, si dhe kundër shqiptarëve që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së dhe të të akuzuarve që u dënuan së fundmi në këtë aktgjykim.

Xhorxhina Bami, BIRN: Bazuar në deklaratën tuaj të vitit 2014, ju nuk kishit mjaftueshëm prova për të ngritur një aktakuzë për trafikim organesh, që ishte dhe mbetet një temë e madhe, por kishit mjaftueshëm prova për të ngritur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i përmendët pak, dhe kjo çoi në themelimin e këtyre Dhomave të Specializuara. Që nga ajo kohë kemi pasur tri aktakuza për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe gjithashtu kemi dy aktgjykime të formës së prerë dhe një që është aktgjykim i shkallës së parë, i cili është ky vendimi më i fundit. Kur bëhet fjalë për këtë aktgjykimin më të fundit, ku Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte, cilat do të thoshit se ishin dallimet në gjetjet tuaja krahasuar me veprat për të cilat ata u dënuan më 16 shtator?

Clint Williamson: Kjo është diçka për të cilën do të ishte e vështirë për mua të komentoj. Nuk e kam lexuar të gjithë aktgjykimin.

Kam lexuar vetëm përmbledhjen, e cila ofron një pasqyrë mjaft sipërfaqësore të gjetjeve faktike. Kështu që do të duhej të lexoja të gjithë aktgjykimin, gjë që thjesht nuk kam pasur mundësi ta bëj deri në këtë moment.

Mendoj se nga ajo që u tha nga gjyqtarët në aktgjykim dhe ajo që pasqyrohet në përmbledhje, përsëri, përputhet me kuptimin tonë të përgjithshëm faktik të asaj që ka ndodhur.

Pa dyshim që do të prisja të kishte dallime. Tani kanë kaluar 12 vjet që kur ne i publikuam këto gjetje paraprake. Jam i sigurt se kishte disa dëshmitarë që ndërruan jetë apo u pamundësuan ndërkohë dhe nuk mundën të bashkëpunonin në proces. Jam i sigurt se ata gjetën dëshmitarë shtesë me të cilët folën.

Kështu që provat që ata (prokurorët) përfundimisht paraqitën në gjyq, jam mjaft i sigurt se devijuan pak nga ato që kishim ne në atë kohë. Thjesht për shkak të kalimit të kohës.

Xhorxhina Bami, BIRN: Në gjetjet tuaja ju përmendët kryesisht përgjegjësinë individuale dhe kryesisht të lidhur me situatën e pasluftës, dhe ju theksonit atëherë se hetimi juaj bazohej shumë në periudhën e pasluftës sepse TPNJ-ja (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë) në të vërtetë gjykoi shumë krime të lidhura me luftën.

Megjithatë, në Dhomat e Specializuara ne kemi parë kryesisht akuza dhe dënime që lidhen me periudhën e luftës dhe jo aq me periudhën e pasluftës. Madje edhe gjyqtari faktikisht e hodhi poshtë atë pjesë pas 20 qershorit 1999 pasi ato nuk konsiderohen krime lufte sepse ndodhën më pas.

Pse mendoni se ndryshoi fushëveprimi i Gjykatës dhe u fokusua kryesisht në periudhën e luftës?

Clint Williamson: Hetimi që ne zhvilluam u përqendrua në të dyja pjesët e asaj periudhe.

Ne shqyrtuam shkeljet që u kryen gjatë periudhës të konfliktit të armatosur dhe ato që ndodhën pas përfundimit të konfliktit të armatosur. Për shkak se në fund Gjykata vendosi se akuzat e duhura për të cilat këta individë do të dënoheshin lidheshin vetëm me krimet e luftës, kjo u kufizua vetëm në periudhën e konfliktit të armatosur.

Sikur të kishin vendosur se krimet kundër njerëzimit do të kishin qenë gjithashtu një aktgjykim i duhur, kjo do të mund të shqyrtohej në periudhën pas përfundimit të konfliktit. Kështu që mendoj se ky ishte dallimi që u bë aty. Dhe mendoj se kjo është në rregull.

Por përsëri fokusi i tyre, në aktgjykim, ishte në akuzat për krime lufte dhe ato duhej të ishin kryer gjatë një periudhe të konfliktit të armatosur,

përderisa ata hodhën poshtë krimet kundër njerëzimit, gjë që do të mundësonte ushtrimin e juridiksionit pas periudhës së konfliktit të armatosur.

Xhorxhina Bami, BIRN: Një nga kritikat kryesore që ka Gjykata është se njerëzit thonë se ajo është në thelb kundër shqiptarëve dhe po gjykon vetëm luftëtarët e UÇK-së. A e konsideruat në kohën kur po hetonit që të hetonit edhe komunitetet e tjera etnike?

Clint Williamson: Siç e shpjegova në gjetjet paraprake në vitin 2014, hetimet që përfshinin në veçanti sjelljen e serbëve u ndërmorën nga TPNJ-ja sepse TPNJ-ja kishte juridiksion mbi ato krime.

Ata nuk kishin juridiksion në periudhën e pasluftës, e cila ishte fokusi ynë parësor. Siç e thashë, kjo do të përfshinte krime që hynë në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit. Gjatë kësaj periudhe, pothuajse nuk kishte asnjë krim që mund t’u vishej forcave serbe sepse ato ishin tërhequr nga Kosova.

Kështu që fokusi ishte pothuajse ekskluzivisht te shqiptarët. Por nuk kufizohej vetëm në këtë. Kështu që pa dyshim, nëse do të kishim gjetur krime që kishin ndodhur në atë periudhë kohore e që mund t’u visheshin serbëve apo të tjerëve, ato sigurisht që mund të ndiqeshin penalisht.

Xhorxhina Bami, BIRN: A arritët edhe ju në përfundimin se kishte një qëllim të përbashkët kriminal si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për të zhdukur kundërshtarët, e përbërë nga njerëz brenda UÇK-së?

Clint Williamson: Ne nuk arritëm deri në atë pikë gjatë rrjedhës së hetimit tonë.

Dhe, përsëri, mendoj se është shumë e rëndësishme të sqarohet se gjetjet që publikuam në vitin 2014 ishin gjetje paraprake. Mënyra se si u ngrit ky proces është se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që po punonin së bashku për këtë dhe po përpiqeshin t’u përgjigjeshin këtyre çështjeve, donin të shmangnin një skenar ku ngrihej një gjykatë e tërë, ku emëroheshin gjyqtarë, ku e dini, punësoheshin numër i madh njerëzish, dhe pastaj ne thjesht rrinim aty duke pritur për pesë vjet apo gjashtë vjet apo diçka tjetër për një vendim përfundimtar nga prokuroria nëse do të procedohej me një aktakuzë apo jo.

Në vend të kësaj, ajo që u bë në skenarin e Kosovës ishte se kjo u qas në mënyrë sekuenciale ku u ngrit zyra e prokurorit të posaçëm, përsëri nën emrin Task Forca Speciale Hetimore .

Dhe pas 18 muajsh punë m’u kërkua t’i raportoja Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri dhe t’i jepja asaj një raport mbi atë nëse mendoja se këto hetime ishin të qëndrueshme dhe duhet të vazhdonin. Unë e bëra këtë.

Në fund të mandatit tim trevjeçar m’u kërkua t’i ofroja një raport një grupi më të madh, të gjitha shteteve anëtare, mbi një pasqyrë të provave në atë kohë. Dhe kjo është ajo që bëra kur nxora atë raport. Por, përsëri, këto ishin gjetje paraprake.

Kështu që ne pa dyshim menduam dhe ishim shumë të qartë për këtë në atë kohë, se hetimet e mëtejshme mund ta çonin këtë në drejtime të ndryshme dhe se kjo do të ndikohej nga disponueshmëria e dëshmitarëve, mundësia e identifikimit të dëshmitarëve të tjerë, gjasat që disa dëshmitarë të tërhiqeshin.

Kështu që gjetjet që kishim ne nuk ishin pothuajse aq të hollësishme sa ato që u mblodhën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi ajo u ngrit, e që më pas u paraqitën në gjyq. Kështu që ne me të vërtetë nuk arritëm te kjo çështje e ndërmarrjes së përbashkët kriminale gjatë rrjedhës së hetimit tonë.

Ne ishim shumë të përqendruar në përgjegjësinë individuale të kryesve potencialë, por e pranuan se kishte një qëllim të përbashkët që ishte në lojë këtu. Sigurisht që kishte një shkallë të lartë bashkëpunimi dhe bashkërendimi mes këtyre individëve.

Mendoj se sikur ta kishim marrë sipër, sikur të kisha vazhduar të isha i përfshirë pas asaj pike, mendoj se me siguri do të kishim arritur në të njëjtin përfundim se kishte një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Por thjesht ne nuk e arritëm atë pikë në kohën kur unë ofrova gjetjet paraprake.

Xhorxhina Bami, BIRN: A do të thotë kjo se do të arrinit në këtë përfundim për të gjithë periudhën e luftës dhe pasluftës apo vetëm pas qershorit 1999?

Clint Williamson: Nuk do të thosha për të gjithë periudhën.

Nuk do të spekuloj se çfarë saktësisht do të kishim gjetur. Por mendoj se ndërmarrja e përbashkët kriminale i referohet vetëm akteve kriminale. Ajo nuk i referohet, për shembull, asaj që po bënte UÇK-ja në tërësinë e saj. Nuk u referohet veprimeve ushtarake që u ndërmorën nga UÇK-ja.

Kjo lidhet ekskluzivisht me sjelljen kriminale që ka ndodhur nga individë të caktuar. Dhe kështu përsëri, unë nuk do të spekuloj se cila periudhë kohore mund të ketë qenë e përfshirë në këtë, apo çfarë do të përfshihej me rolet e individëve të caktuar. Dhe kështu unë do t’u referohesha gjetjeve të gjykatës këtu pasi ata kanë shqyrtuar provat, të cilat përsëri janë shumë, shumë më gjithëperfshirëse se ato që ne kemi pasur mundësi të shihnim në vitin 2014.

Xhorxhina Bami, BIRN: Meqenëse jemi në një temë shumë sensitive sepse kjo pjesë e qëllimit të përbashkët kriminal është një nga pjesët më të ndjeshme të aktakuzës dhe më pas të aktgjykimit, dhe ne kemi pasur shumë protesta kohët e fundit në Kosovë, ndonjëherë dy herë në ditë, pse mendoni se aktgjykimet e këtyre tribunaleve ndërkombëtare nuk patën të njëjtin efekt apo efektin e pritur te njerëzit?

Ato në të vërtetë nuk sollën pajtimin që pritej, por shpesh u kundërshtuan, siç është edhe rasti me këtë aktgjykim më të fundit.

Clint Williamson: Nuk mendoj se kjo është diçka unike për Kosovën. Së fundmi Serbia faktikisht i bëri një funeral shtetëror Ratko Mlladiqit pasi ai u dënua për gjenocid për krimet që ndodhën në Srebrenicë.

Dhe mendoj se provat atje ishin dërrmuese për fajësinë e Mlladiqit. Por kjo nuk i hapi rrugë një vetëdijesimi në Serbi për pajtim. Në vend të kësaj, ajo parimisht u hodh poshtë.

Mendoj se në Kosovë shumë nga buja që ndodhi para se të shpallej ky aktgjykim ishte shumë e njëanshme dhe mendoj se pritshmëritë e njerëzve ishin se të gjithë këta individë do të liroheshin nga akuzat dhe se do të liroheshin.

Dhe kështu nuk mendoj se është bërë ndonjë përpjekje e madhe nga autoritetet në Kosovë apo nga ata njerëz që po e komentojnë këtë për të krijuar pritshmëri te njerëzit se mund të jetë pak më ndryshe nga kjo narrativë e vetme se këta individë do të shfajësoheshin dhe do të liroheshin.

Mendoj se një pjesë e përgjegjësisë bie mbi autoritetet qeveritare, mbi njerëzit në media që po e komentonin këtë, të cilët paraqitën vetëm perspektivën e vetme se ky proces, e dini, pashmangshmërisht do të përfundonte me pafajësinë e këtyre individëve.

Xhorxhina Bami, BIRN: Dhe a mendoni se tribunalet ndërkombëtare dhe këto procese për krimet që ndodhën gjatë luftës në Kosovë kanë qenë të suksesshme?

Po flas për TPNJ-në dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe proceset e tjera që janë bërë gjithashtu në nivel vendi, në Kosovë dhe në Serbi.

Clint Williamson: Po, dhe pastaj në Bosnjë, gjykata shtetërore e Bosnjës mendoj se ka qenë gjithashtu me mjaft sukses. Mendoj se në përgjithësi ato kanë qenë të suksesshme.

TPNJ-ja me gjasë kishte bilancin më të fortë nga të gjitha tribunalet ndërkombëtare që u krijuan në 30 vitet e fundit në aspektin e numrit të individëve që u ndoqën penalisht për krime. Mendoj se jurisprudenca që doli nga ajo gjykatë ka qenë shumë e qëndrueshme.

Dhe mendoj se me kalimin e kohës njerëzit do ta vlerësojnë këtë dhe do të kuptojnë se Tribunali bëri një punë mjaft të mirë në vërtetimin e saktë të fakteve dhe dhënien e aktgjykimeve që pasqyrojnë ato fakte.

A janë perfekte këto institucione? Jo. Jam i sigurt se janë bërë disa gabime.

Sigurisht që kishte individë që mbanin shumë faj e që nuk janë sjellë para drejtësisë nga të gjitha palët. Por e dini, kjo është e njëjtë edhe në sistemet vendore të drejtësisë. Asnjë prej tyre nuk është perfekt. Ju përpiqeni të bëni më të mirën që mundeni në ato rrethana me provat që keni në dispozicion. Dhe mendoj se kjo është ajo që ndodhi këtu.

Mendoj përsëri se gjetjet në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës kryesisht përputheshin me ato që ne kishim përcaktuar si fakte në vitet 2011 deri 2014. Kjo përputhet gjithashtu me raportimet që janë bërë në atë kohë nga OSBE-ja dhe nga grupe si Human Rights Watch, të cilave u jam referuar në gjetjet e mia paraprake në vitin 2014.

Kështu që, nëse dikush do të kishte marrë kohën t’i lexonte këto, ta ndiqte këtë, ata do të shohin rrëfime shumë konsistente për atë që ka ndodhur që nga viti 1999 e deri më tani.

Xhorxhina Bami, BIRN: A mendoni se kjo do të ketë një efekt të mirë në situata të tjera të ngjashme, veçanërisht tani që jemi në një situatë globale ku krimet e luftës po hetohen ndërsa po ndodhin, si në Ukrainë apo në Gaza, për shembull.

Cili do të ishte precedenti që sjell kjo lloj gjykate?

Clint Williamson: Mendoj se precedenti këtu është se kjo ishte një qasje mjaft novatore që duhej ndërmarrë për të vendosur këtë proces të drejtësisë.

Fillimisht me TPNJ-në, me TPJR-në (ICTR) – Gjykata e Ruandës, Gjykata Speciale për Sierra Leonen, Tribunali i Kamboxhias, TPNJ dhe TPJR ishin drejtpërdrejt nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit, dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte një rol të madh si në Sierra Leone ashtu edhe në Kamboxhia.

Por siç e dimë ka një shkallë të lartë të mosfunksionimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tani. Nuk ka absolutisht asnjë konsensus për ndonjë lloj procesi të llogaridhënies atje apo për pothuajse asgjë tjetër sa i përket kësaj çështjeje.

Kështu që në këtë rast, kjo ishte diçka që u ndërmor nga Bashkimi Evropian, të cilit i ishte dhënë përgjegjësia kryesore për çështjet e sundimit të ligjit dhe drejtësisë në Kosovë kur u ndryshua mandati i UNMIK-ut.

Dhe kështu mendoj se këto gjithnjë e më shumë do të duhet të bëhen përmes organizatave rajonale, përmes partneriteteve mes komunitetit ndërkombëtar dhe qeverive kombëtare, siç ishte rasti këtu me Kosovën. Kështu që mendoj se ky është një precedent deri në atë masë saqë ky është lloji i qasjes që do të duhet të merret në të ardhmen.

Modelet e ardhshme ndoshta nuk do të duken saktësisht si ai për Kosovën, por gjëra si kjo do të duhet të ndërtohen bazuar në rrethanat e veçanta në një shtet të caktuar me një konflikt të caktuar me atë që është e mundur në aspektin e partneriteteve dhe mbështetjes ndërkombëtare. Dhe kështu mendoj se po, deri në atë masë është një precedent.

Xhorxhina Bami, BIRN: A mendoni se do të kishte qenë më e mirëpritur nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk do të kishin qenë vetëm kundër UÇK-së, dhe nëse do të kishin mandat mbi të gjitha procedurat e krimeve të luftës që ndodhën brenda vendit në Kosovë. Si për shembull tani, ne kemi shumë raste që po gjykohen në mungesë në Kosovë sepse gjykatat vendore nuk mund t’i marrin të akuzuarit pasi ata janë kryesisht në Serbi dhe nuk ekstradohen. Dhe nëse, për shembull, kjo gjykatë në Hagë nuk do të kishte vetëm këtë mandat kundër UÇK-së, por do të gjykonte krimet e luftës në përgjithësi në Kosovë. A mendoni se do të kishte qenë më e mirëpritur dhe do të kishte qenë më e suksesshme në atë kuptim, në legjitimitetin që ka mes njerëzve?

Clint Williamson: Para së gjithash, unë do ta kontestoja paksa karakterizimin që bëtë se kjo gjykatë ishte e drejtuar kundër UÇK-së.

Ajo nuk ishte e drejtuar kundër UÇK-së. Kjo po shqyrtonte fajësinë individuale të personave që kishin role udhëheqëse në UÇK. Kështu që, mendoj se siç thash në vitin 2014, siç u mundua me të madhe ta shpjegonte Gjykata, kjo nuk ishte një aktakuzë kundër UÇK-së. Ky nuk ishte një aktgjykim kundër UÇK-së si organizatë.

Në fakt, siç e theksova në vitin 2014, shumë nga dëshmitarët që u paraqitën në atë kohë ishin luftëtarë që kishin qenë të përfshirë në UÇK, njerëz që besonin në kauzën e UÇK-së, të cilët ndjenin se ishin tradhtuar nga disa prej udhëheqësve që kishin ndërmarrë këto veprime për përfitimet e tyre politike apo materiale.

Kështu që mendoj se është shumë e rëndësishme të ruhet ky dallim.

Kjo ishte gjithashtu një gjykatë që u ngrit për të shqyrtuar individët që ishin në pozita udhëheqëse, role udhëheqëse. Kjo nuk u projektua të ishte një gjykatë për të shqyrtuar çdo krim që u krye në Kosovë, e as TPNJ-ja nuk ishte e tillë. Kështu që kjo ishte në efekt një vazhdimësi e punës që po bënte TPNJ-ja, por që ishte e kufizuar për shkak të mandateve të juridiksionit.

Kështu që për këtë arsye nuk u mendua asnjëherë që të krijohej një gjykatë për t’u marrë me gamën e gjerë të rasteve. TPNJ-ja, megjithëse ngriti aktakuza dhe dënoi rreth 150 persona, ishte ende një numër shumë i vogël në kontekstin e gjithçkaje që ndodhi në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.

Por udhëheqja në anën serbe, që ishte përgjegjëse për krimet në Kosovë, u ndoq penalisht në TPNJ. Unë e ngrita aktakuzën e atyre rasteve. Unë isha në Kosovë. Unë i hetova këto krime në vitin 1999. Unë isha atje, duke zhvarrosur varreza masive, duke bërë këtë punë, duke mbledhur këto prova. Kështu që kjo u trajtua nga TPNJ-ja në nivel udhëheqës.

Dhe kjo ishte përpjekja këtu, për të plotësuar atë boshllëk ku ndjekjet penale të udhëheqësve nuk kishin ndodhur në TPNJ. Dhe sinqerisht nuk ishin të realizueshme brenda gjykatave vendore në Kosovë për shkak të nivelit të ndërhyrjes politike dhe frikësimit të dëshmitarëve, gjë që sigurisht u përmend në deklaratën time në vitin 2014 dhe u nënvizua në aktgjykimin e kësaj Gjykate – Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Xhorxhina Bami, BIRN: Duke folur për këtë pjesë, për aktakuzat dhe mundësinë për të gjykuar drejt udhëheqjen, a ishin gjashtë personat që u dënuan në Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime lufte, gjithashtu të dyshuarit e gjetjeve tuaja në vitin 2014?

Pra po flas për Salih Mustafën, Pjetër Shalën, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi që kanë një dënim në gjykatë.

Clint Williamson: Po, sigurisht Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e hetimit tonë.

Kishte një numër njerëzish që ne shqyrtuam ku mendonim se kishte prova potenciale që ende duhej të ndiqeshin. Por unë nuk isha në një pozitë në atë moment kohor për të komentuar dhe për të thënë se ku do të çonin përfundimisht ato hetime me këta individë. Ne mendonim se kishte një bazë të arsyeshme për vazhdimin e hetimeve dhe se ato duhet të ndiqeshin.

Por unë isha shumë i qartë se i takonte pasardhësit tim dhe në fund asaj që doli të ishte Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës për t’i ndjekur këto hetime deri në kulmimin e tyre. Kështu që do t’i referohesha gjykimit të tyre se cilët ishin njerëzit e duhur për t’u akuzuar. Por ju e dini, ne shqyrtuam një numër më të gjerë njerëzish se ata që u ndoqën penalisht përfundimisht.

Por kjo nuk do të thotë se sikur të kishim zhvilluar këtë hetim, sikur të kisha qenë personalisht i përfshirë në vazhdimin e këtij hetimi, se ne nuk do të kishim arritur në të njëjtat përfundime siç arriti Gjykata Speciale këtu.

Xhorxhina Bami, BIRN: Pra a mendoni se ka hapësirë këtu për të vazhduar me aktakuza apo mendoni se me këtë gjyq të nivelit shumë të lartë, mandatit të Gjykatës po i vjen fundi?

Clint Williamson: Do të isha shumë i surprizuar nëse ka një vazhdimësi të hetimeve. Mendoj se ka ende disa çështje të tjera dytësore që lidhen me frikësimin e dëshmitarëve dhe gjëra të tilla që po trajtohen nga Gjykata. Por mendoj se puna kryesore e gjykatës do të kryhet me këtë aktgjykim. Kështu që unë personalisht do të isha i surprizuar nëse mandati i Gjykatës zgjatet për të shqyrtuar raste të tjera.

Xhorxhina Bami, BIRN: Dhe për ta përmbyllur, doja të pyesja, a besoni tani në drejtësinë ndërkombëtare duke marrë parasysh se udhëheqës ndërkombëtarë si Donald Trump po dalin shumë kundër saj? A mendoni se ajo do të vazhdojë të bëhet ashtu siç e kemi parë deri më tani?

Clint Williamson: Shiko, unë kam qenë i përfshirë në drejtësinë ndërkombëtare që nga fillimi i kësaj epoke moderne që filloi me të vërtetë me krijimin e TPNJ-së në vitin 1994.

Isha prokurori i parë amerikan që arrita atje në maj të vitit 1994 në një moment kur zyra e prokurorit atje kishte vetëm shtatë persona. Kështu që kam qenë i përfshirë në këtë me të vërtetë që nga vetë fillimi i kësaj faze aktuale. Ka pasur shumë ulje dhe ngritje me kalimin e kohës. Kemi parë shumë gjykata ndërkombëtare, hibride dhe rajonale që janë krijuar.

Por mendoj se tani është një periudhë e vështirë për drejtësinë ndërkombëtare. Shumë prej këtyre gjykatave ose kanë përfunduar ose së shpejti do të përmbyllin punën e tyre.

GJNP-ja (Gjykata Ndërkombëtare Penale) është në një pozitë shumë të vështirë tani, si për shkak të kritikave për disa nga rastet që kanë trajtuar dhe mënyrën se si i kanë trajtuar ato, por mendoj gjithashtu se, e dini, nga disa plagë të vetëshkaktuara përfshirë këto skandale që përfshijnë prokurorin e larguar së fundmi. Kështu që nëse do të shohim më shumë tribunale ndërkombëtare në afat të shkurtër, nuk e di.

Mendoj se duke u kthyer te pika ime e një çasti më parë, mendoj se do të shohim më shumë nga këto lloj qasjesh inovatore, siç u bë me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dhe kështu mund ta shihni këtë përmes organizatave rajonale si Bashkimi Evropian, Bashkimi Afrikan.

Mund të shihni disa qasje joprokuroriale, si komisionet e së vërtetës dhe pajtimit, përpjekjet për dokumentim, që janë bërë në lidhje me Sirinë dhe Mianmarin ku kemi pasur këto mekanizma hetimorë të pavarur.

Kështu që mendoj se do të ketë ende mbështetje për shumë mekanizma të drejtësisë ndërkombëtare, por ata me gjasë do të duken shumë ndryshe nga çfarë kanë qenë gjatë 30 vjetëve të fundit. Nuk do të thotë se nuk do t’i kthehemi kësaj në një moment në të ardhmen, por mendoj se tani për tani kjo është thjesht realiteti se ku jemi./Kallxo.com