“VAR-i ishte në gjumë”, Mourinho shpërthen pas El Clásicos
José Mourinho nuk i ka kursyer kritikat ndaj VAR-it, pavarësisht fitores së rëndësishme të Real Madridit në “Camp Nou”.
Pas triumfit 2-1 ndaj Barcelonës, trajneri portugez e vlerësoi paraqitjen e gjyqtarit kryesor, Juan Martínez Munuera, por pati fjalë të ashpra për ekipin e VAR-it, i cili nuk ndërhyri në një episod të diskutueshëm në minutën e 60-të.
“Një fitore e madhe ndaj një kundërshtari të madh. Gjyqtari zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por VAR-i ishte në gjumë në minutën e 60-të, në një episod që mund të kishte ndikuar jashtëzakonisht shumë në gjithë ndeshjen. Ishte karton i kuq i pastër për Cancelon!”, deklaroi Mourinho për “Real Madrid TV”, përcjell “Gazeta Express”.
Episodi ndodhi kur Yan Diomande po depërtonte me top, ndërsa João Cancelo u përpoq ta ndalte.
Mbrojtësi portugez mbërriti me vonesë dhe e preku sulmuesin e Real Madridit me takat e këpucës në pjesën e poshtme të këmbës.
Gjyqtari kryesor e lejoi vazhdimin e lojës, ndërsa VAR-i nuk e kërkoi rishikimin e aksionit.
Sipas “Goal.com”, ndërhyrja kishte elemente që mund ta justifikonin kartonin e kuq për lojë të rëndë, megjithëse vlerësimi përfundimtar i episodit nuk është i padiskutueshëm.
Edhe legjenda e Real Madridit, Guti, e mbështeti qëndrimin e Mourinhos, duke thënë se VAR-i duhej ta kishte ftuar gjyqtarin për ta rishikuar aksionin.
“E kam të pakuptueshme që VAR-i nuk ndërhyri”, u shpreh Guti.
Reali fitoi, por polemikat vazhdojnë
Në momentin e ndërhyrjes, Real Madridi ishte në epërsi 1-0. Barcelona barazoi më vonë me Raphinhën, por Kylian Mbappé e shënoi golin vendimtar në minutën e 87-të, duke ia siguruar skuadrës madrilene fitoren 2-1.
Për Mourinhon, triumfi ishte i merituar, por mosndërhyrja e VAR-it mbeti një nga episodet më të diskutuara të ndeshjes.
Me këtë fitore, Reali iu afrua Barcelonës në tri pikë në tabelën e La Ligës, ndërsa debati për ndërhyrjen e Cancelos po vazhdon edhe pas përfundimit të “El Clásicos”.
Në një kohë kur çdo detaj i performancës dhe kursimit ka rëndësi, zgjedhja e karburantit të duhur bëhet vendim...
Të rejat Lexo më shumë
“E bllokoi Lamine Yamalin”, Rakitic i mahnitur nga taktika e Mourinhos: Barça e kishte të vështirë!
Flamuri i Austrisë ngritet në Komunën e Prishtinës
Tension në fund të El Clásicos, “kapen” Bellinghami dhe Adeyemi