← Kthehu te Ballina
Sport 05/10/2026 09:16

“Trupi më thotë stop!”, Riza Durmisi pensionohet nga futbolli: E mbaj në mend ndeshjen ndaj Shqipërisë!

“Trupi më thotë stop!”, Riza Durmisi pensionohet nga futbolli: E mbaj në mend ndeshjen ndaj Shqipërisë!

Riza Durmisi ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist në moshën 32-vjeçare.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Danimarkës e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi emocional në Instagram, ku ka treguar se problemet fizike e kanë shtyrë të marrë këtë vendim, shkruan Indeksonline

“Erdhi radha ime, trupi thotë stop. Kush do ta kishte menduar se një djalë i vogël nga Ishoj do të kishte një karrierë të tillë?”, shkroi Durmisi.

Ai theksoi se futbolli ka qenë pjesë e pandashme e jetës së tij që nga fëmijëria.

“E dua futbollin dhe ai ka qenë jeta ime që kur isha pesë vjeç. Mendoj për të çdo sekondë që kalon. Çfarë udhëtimi!”, u shpreh ai.

Durmisi, i cili ka prejardhje shqiptare, kujtoi edhe debutimin e tij me Danimarkën, i cili erdhi pikërisht ndaj Shqipërisë. Ai e cilësoi atë moment si të paharrueshëm dhe emocional, duke theksuar se i kuptonte të dyja palët për shkak të rrënjëve të tij shqiptare.

“Kam lindur në Danimarkë dhe kam rrënjë shqiptare. Debutimi i paharrueshëm me Danimarkën kundër Shqipërisë ishte shumë ambivalent. I kuptoja të dyja skuadrat, njësoj si kur familja mblidhej në shtëpi”, shkroi Durmisi.

Në karrierën e tij, mbrojtësi i majtë luajti për klube si Brondby, Real Betis, Lazio, Nice, Salernitana, Sparta Rotterdam, Leganes, Tenerife, Nea Salamina dhe së fundmi Amazonas në Brazil. Me Danimarkën regjistroi 23 paraqitje./Indeksonline/

Reklamë