Trump Mobile la të pambrojtur përdoruesit e hakuar, “nuk kemi ekip që merret me këtë”
Operatori amerikan Trump Mobile është hakuar dhe të dhënat personale të rreth 3,615 klientëve dyshohet se janë komprometuar.
Grupi i hakerëve që pretendon se qëndron pas sulmit thotë se kompania nuk kishte një ekip të dedikuar për t’u marrë me incidentin.
Sipas raportimeve, të dhënat e ekspozuara përfshijnë emra, adresa banimi, adresa elektronike, numra telefoni dhe informacione rreth porosive.
Grupi i hakerëve, i njohur si BYOD, pretendon se ka depërtuar në sistem përmes një punonjësi të kompanisë Liberty Mobile, e cila është e përfshirë në funksionimin e Trump Mobile. Hakerët pretendojnë se kanë siguruar qasje edhe në pjesën e pasme të sistemit të uebfaqes së Trump Mobile.
Disa klientë të prekur kanë konfirmuar se të dhënat e publikuara nga hakerët përputhen me informacionet e tyre personale. Në mesin e personave të prekur dyshohet se është edhe zyrtari përgjegjës për teknologjinë dhe sigurinë e informacionit në Trump Mobile.
Sipas hakerëve, kur kompania u njoftua për sulmin, përgjigjja e saj ishte se “nuk kemi ekip që merret me këtë”, ndërsa hakerët u cilësuan si terroristë.
Trump Mobile deri tani nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me pretendimet për sulmin kibernetik.
Ky nuk është rasti i parë i problemeve të sigurisë për kompaninë. Më herët gjatë këtij viti, një studiues i sigurisë kibernetike kishte mundur të shihte të dhënat e rreth 27 mijë klientëve.
Trump Mobile është një operator virtual mobil që përdor emrin e familjes Trump përmes një marrëveshjeje licencimi. Shërbimi dhe pajisja T1 menaxhohen nga Liberty Mobile.
Të rejat Lexo më shumë
Presidenti polak futet në ring me Manny Pacquiaon
Moti në Shqipëri, shi dhe shtrëngata
“Më telefonoi para se të vdiste por s’arrita t’ia hapja”, flet nëna e muzikantit zviceran që vdiq nga zjarri