Sulmi në Ibër-Lepenc, sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve
Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, nga ora 13:15, do të mbahet seanca gjyqësore lidhur me sulmin ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”, i cili ndodhi në nëntor të vitit 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jovan Viqentijeviq dyshohet se, së bashku me vëllain e tij, Dragisha Viqentijeviq, ka dëmtuar qëllimisht infrastrukturën e kanalit duke përdorur eksploziv, me qëllim të kryerjes së veprës penale të terrorizmit.
Për këtë rast akuzohet edhe Igor Dimoviq, i cili nuk ndodhet në paraburgim. Ndërkaq, dy vëllezërit Viqentijeviq vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Sulmi ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit” ndodhi në nëntor të vitit 2024, kur dyshohet se u përdorën rreth 20 kilogramë eksplozivë. Shpërthimi shkaktoi dëme në infrastrukturën jetike të furnizimit me ujë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturës kritike në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar ngjarjen si akt terrorist, ndërsa kanë drejtuar akuza ndaj Serbisë për përfshirje në këtë rast.
Në shkurt të vitit 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm para gjykatës.
Në kuadër të procesit gjyqësor, pritet të shqyrtohen provat e paraqitura nga Prokuroria, si dhe pretendimet e mbrojtjes, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të sulmit.
Të rejat Lexo më shumë
Moti për sot me kthjellime në pjesën më të madhe të vendit
Vjeshta sjell mot të ndryshueshëm në Kosovë, temperaturat deri në 19 gradë
Ëmbëlsirë me dardha që shërbehet edhe në restorant me yll Michelin