← Kthehu te Ballina
Lajme 16/10/2026 09:01

Siparantum i kundërpërgjigjet Komunës: 30 nga 48 anëtarët e korit janë nga rajoni i Pejës

Siparantum i kundërpërgjigjet Komunës: 30 nga 48 anëtarët e korit janë nga rajoni i Pejës

Kori “Siparantum” i është kundërpërgjigjur Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) të Komunës së Pejës, e cila ka arsyetuar vendimin për mbështetjen financiare të korit me kriteret institucionale, mundësitë buxhetore dhe përbërjen e pjesëmarrësve.

Në një sqarim të dërguar pas përgjigjes së DKRS-së për Telegrafin, kori ka theksuar se 30 nga 48 anëtarët e tij janë nga rajoni i Pejës, duke paraqitur të dhëna për prejardhjen e tyre.

“Kori Siparantum ka gjithsej 48 anëtarë, prej të cilëve 30 janë nga rajoni i Pejës: Pejë (22), Deçan (5), Klinë (2) dhe Istog (1)”, thuhet në sqarimin e korit.

Sipas të dhënave të paraqitura nga “Siparantum”, anëtarët e tjerë vijnë nga Prishtina (8), Vushtrria (3), Mitrovica (2), Vitia (1), Prizreni (1) dhe Shqipëria (2).

DKRS-ja, në përgjigjen e saj për Telegrafin, kishte deklaruar se nga 48 pjesëmarrësit e korit, 10 janë nga Peja, duke e cilësuar këtë si një nga elementet që mund të merret parasysh gjatë vlerësimit të përfitimit kulturor për komunën.

Siparantum thotë se ka fituar 27 çmime ndërkombëtare

Kori ka paraqitur edhe të dhëna për aktivitetin e tij ndërkombëtar, duke theksuar se ka fituar dhjetëra çmime dhe ka performuar në shumë shtete.

“Deri më sot, Kori Siparantum ka fituar 27 çmime ndërkombëtare, ka realizuar 235 aktivitete dhe ka koncertuar në 22 shtete”, thuhet në sqarimin e korit.

Duke iu përgjigjur edhe çështjes së verifikimit të çmimeve dhe mirënjohjeve, për të cilën kishte folur DKRS-ja, kori ka deklaruar se të dhënat janë publike.

“Të gjitha çmimet dhe mirënjohjet tona janë publike dhe të verifikueshme në faqen zyrtare, rrjetet sociale dhe faqet e festivaleve ndërkombëtare”, thuhet më tej në përgjigjet për Telegrafin.

Kori ka rikujtuar gjithashtu se renditet ndër 20 ansamblet më të mira në botë, sipas listës zyrtare të renditjes botërore të organizatës INTERKULTUR.

“Rikujtojmë se Kori Siparantum renditet ndër 20 ansamblet më të mira në botë, sipas listës zyrtare të renditjes botërore të INTERKULTUR”, thuhet në sqarim.

Përplasja mes korit dhe DKRS-së vjen pas kërkesës së “Siparantum”-it për mbështetje financiare për pjesëmarrjen në festivalin “Songs of Europe”, i cili do të mbahet në Pragë të Çekisë, nga 18 deri më 23 nëntor 2026.

Kori kishte kërkuar 21 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të transportit, akomodimit dhe ushqimit. DKRS-ja kishte ndarë 2 mijë euro, shumë të cilën kori e kishte vlerësuar të pamjaftueshme dhe kishte refuzuar ta pranonte.

Në përgjigjen e saj për Telegrafin, DKRS-ja kishte deklaruar se vendimi është përfundimtar dhe se nuk ka argumente shtesë që do të justifikonin rishqyrtimin e tij.

Drejtoria kishte theksuar gjithashtu se kërkesat për mbështetje financiare vlerësohen duke marrë parasysh interesin publik, ndikimin kulturor, mundësitë buxhetore, dokumentacionin përkatës dhe trajtimin e barabartë të organizatave kulturore.

Reklamë