Shiroka Pula takon ministrin e Jashtëm të Zvicrës, në fokus marrëdhëniet ekonomike dhe mbështetja ndërkombëtare
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesin e OSBE-së, Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke falënderuar Cassis për mbështetjen e vazhdueshme zvicerane ndaj Kosovës.
Ajo ka theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë. Në këtë drejtim, ka vlerësuar bilancin aktual tregtar ndërmjet dy vendeve, duke nënvizuar potencialin për rritje të mëtejshme përmes mundësive që ofron EFTA.
Në takim është diskutuar edhe për mbështetjen e Zvicrës në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Presidentja ka vënë në pah gjithashtu rolin e rëndësishëm të mërgatës shqiptare në Zvicër, duke e cilësuar atë si një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve. Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999.
Nga ana e tij, ministri Ignazio Cassis ka rikonfirmuar përkushtimin e Zvicrës për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës edhe në të ardhmen, duke shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për presidenten Shiroka Pula.
Të rejat Lexo më shumë
Sulmohet fizikisht gjyqtarja Qëndresa Sejdiu në Viti, arrestohet i dyshuari - reagon KGJK-ja
Operacion kundër bixhozit të kundërligjshëm, arrestohen 22 të dyshuar në Prizren
Rekorde futbolli që mund të mos thyhen kurrë: 15 arritje të pabesueshme në historinë e futbollit