Shasime Osmani, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kantonit të Bernit, merr nënshtetësinë e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, i ka dhënë nënshtetësinë e Republikës së Kosovës deputetes kërçovare që jeton dhe vepron në Zvicër, Shasime Osmani.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi, ku ka ndarë edhe fotografinë me dokumentin e nënshtetësisë, shkruan
Ajo e ka cilësuar këtë si një nder të veçantë dhe një moment emocional, duke shprehur mirënjohje për këtë vlerësim.
“Presidentja e Republikës së Kosovës më ka dhënë shtetësinë e Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm për deputeten me prejardhje nga Kërçova, e cila tashmë ka marrë edhe nënshtetësinë e Kosovës.
Kush është Shasime Osmani, shqiptarja e zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit
Shasime Osmani, vajza e mërgatës shqiptare, është zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit, pas një rrugëtimi që nisi në vitet e vështira të mërgimit familjar.
Historia e saj nis në fund të viteve 1970, kur gjyshi i saj u shpërngul nga Maqedonia në Zvicër për të punuar dhe siguruar një të ardhme më të mirë për familjen. Më 1993 erdhi i ati, ndërsa Shasimja, bashkë me nënën, u vendos në Zvicër më 1999, pas çlirimit të Kosovës.
Që nga ajo kohë, Shasimja ka ndjekur një rrugëtim të jashtëzakonshëm: studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit, ajo u zgjodh fillimisht asambleiste në parlamentin e qytetit të Bernit dhe sot, më 2026, konfirmoi fuqinë e saj në politikën kantonale, duke u bërë deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit. Mediat zvicerane e prezantuan atë si “një zë për ata që nuk kanë zë”.
Shasimja u rrit në lagjen Bümplitz-Bethlehem, një komunitet ku mundësitë janë të pakta dhe barazia sociale shpesh mungon. Vetëm 11 për qind e nxënësve të lagjes arrijnë të ndjekin gjimnazin, krahasuar me 40 për qind në lagjet e tjera. Ky realitet e motivoi Shasimen të angazhohej politikisht, duke u përkushtuar për barazi shkolle dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Në ditën e fitores, Shasime shpërndau në Instagram një fotografi të një tepsi fli, shoqëruar me shënimin: “If you know, you know”. Një tjetër foto tregonte përqafimin me një kolege partie dhe një shënim prekës: “Aktualisht po rrjedhin vetëm lot”.
Rruga e Shasimes nga fëmijëria në një lagje të punëtorëve deri në parlamentin kantonal tregon se përkushtimi dhe pasioni për ndryshim social mund të kthejnë ëndrrat në realitet.
Të rejat Lexo më shumë
Reshjet e borës mbyllin disa nga qafat kryesore alpine në Zvicër
Momenti kur shembet një ndërtesë shumëkatëshe në Kenia, frikë për persona të bllokuar nën rrënoja
Pas gjashtë vjetësh shqiptarët bashkohen në një listë, liderët e Luginës synojnë rikthimin e deputetit të tretë