Senati vendos ta nderojë me titullin “Chlamys Dardanica” profesorin Bajram Berisha
Profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, prof. Bajram Berisha me miratimin e senatit në mbledhjen e 28 tetorit 2026, do të jetë profesori i parë që do të nderohet me titullin e lartë “Chlamys Dardanica”.
Titulli “Chlamys Dardanica”, në bazë të një pelerine dardane, për herë të parë në histori të UP-së u jepet pjesëtarëve të personelit akademik për ekselencë dhe arritje të jashtëzakonshme akademike e shkencore, sipas rregullores për procesin dhe procedurën e vendimmarrjes në përzgjedhjen e fituesve të titujve të nderit, çmimeve për studentët e dalluar dhe mirënjohjeve, të miratuar nga senati në shtator të vitit 2025.
Profesori Berisha që përfundoi studimet universitare në UP, ato pasuniversitare në Universitetin e Lubjanës dhe doktoraturën në Universitetin Teknik të Munihut (TUM), një ndër universitetet më të njohura të globit, ku punoi si mësimdhënës dhe kërkues shkencor në vitet 1996 – 2009, ishte ndër profesorët e parë që u kthye nga atje për të dhënë kontributin e tij në Universitetin e Prishtinës.
Berisha ka në emër të tij qindra punime shkencore kombëtare e ndërkombëtare, mban titullin „TUM Ambassador” nga Universiteti Teknik i Munihut, ishte shkencëtar i vitit i Kosovës në vitin 2012 dhe hyri dy herë në mesin e 100 shkencëtarëve më të mirë evropianë në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë, në renditjen e AD Scientific Index.
Arritjet e tij të jashtëzakonshme në kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin dhe zhvillimin institucional të UP-së, ai vazhdimisht i ndan me kolegët dhe studentët. Një student i tij dhe i UP-së, Granit Thaqi, në shtator të vitit 2026 doktoroi në Universitetin Teknik të Munihut që renditet ndër 25 universitetet më të njohura të botës dhe është universiteti numër 1 në Gjermani.
Të rejat Lexo më shumë
Nëna kërcënon djalin pas një mosmarrëveshjeje për pronën në Malishevë, dërgohet në mbajtje për 48 orë
Aktivistët e Ferizajt thërrasin protestë për Arlinda Zekajn, marshojnë drejt institucioneve
Kosova blen nga Gjermania 12 kamionë ushtarakë Mercedes Benz 4×4