← Kthehu te Ballina
Sport 24/10/2026 19:39

Roberto Martinezi për Nico Pazin: Më dukej sikur po e shihja Maradonën duke luajtur

Roberto Martinezi për Nico Pazin: Më dukej sikur po e shihja Maradonën duke luajtur

Roberto Martinezi e ka krahasuar Nico Pazin me Diego Maradonën, pasi argjentinasi e frymëzoi Comon drejt një fitoreje të jashtëzakonshme 4-1 ndaj Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve.

22-vjeçari u shpall Lojtari i Ndeshjes të mërkurën, duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në një tjetër, teksa skuadra e Cesc Fabregasit e mposhti bindshëm gjigantin e Premierligës në stadiumin “Sinigaglia”.

Duke punuar si vëzhgues teknik i UEFA-s, Martinez e lavdëroi pa kursim argjentinasin në një analizë të publikuar në faqen zyrtare të UEFA-s.

“Ai realizoi dy gola dhe një asistim në tre golat e parë. Ky është material për yll”, tha ish-trajneri i Belgjikës.

“Ishte sikur të shikoje Maradonën, të shikoje atë lloj lojtari që e merr skuadrën mbi shpatullat e tij”, shtoi ai.

Nico Paz e zhbllokoi rezultatin pas më pak se dy minutash lojë dhe më pas asistoi për Tasos Douvikasin në fillim të pjesës së dytë, duke regjistruar asistimin e tij të tretë në këtë fazë të ligës.

Golin e dytë e shënoi pas presionit të lartë të Fabregasit, kur ia rrëmbeu topin Carlos Balebas dhe përshkoi 25 metra para se ta dërgonte topin në rrjetë.

“Më pëlqen shumë saktësia e Nico-s në momentin e finalizimit. Ai është një futbollist i mrekullueshëm, me ekuilibër të shkëlqyer dhe i pëlqen ta mbajë topin nën kontroll të afërt”, tha Martinez, i cili e udhëhoqi Portugalinë drejt triumfit në Ligën e Kombeve në vitin 2025. “Mund ta shihje hapësirën që kishte. Finalizimi ishte i përsosur”, u shpreh ai.

Kjo e kurorëzon një periudhë të jashtëzakonshme për Pazin, i cili së fundmi shënoi në tri ndeshje miqësore radhazi me Argjentinën.

“Është një nga netët më të veçanta të jetës sime dhe të karrierës sime”, tha ylli i Comos. “Jo vetëm për mua, por edhe për klubin dhe tifozët”, shtoi ai.

Paz nuk ishte pjesë e formacionit titullar të Comos në ndeshjen e së shtunës në shtëpi kundër Sassuolos, të cilën Como e fitoi 2-0.

Reklamë