← Kthehu te Ballina
Sport 28/10/2026 07:47

Reali e ‘ngacmoi’ Barçën edhe në natën e Topit të Artë

Reali e ‘ngacmoi’ Barçën edhe në natën e Topit të Artë

Real Madridi e ka shfrytëzuar ceremoninë e Topit të Artë 2026 për t’ia kujtuar Barcelonës fitoren në “El Clasico”, duke mos e fshehur zhgënjimin për faktin që Kylian Mbappe nuk e fitoi çmimin prestigjioz.

Sipas “Foot Mercato”, televizioni zyrtar i Real Madridit ndërpreu programin e zakonshëm të hënën mbrëma për një edicion special të emisionit “Real Madrid Conecta”, kushtuar ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Gjatë transmetimit, komentatorët shprehën dyshime për informacionet që kishin qarkulluar para ceremonisë, duke kritikuar parashikimet dhe listat që pretendonin se zbulonin fituesit.

“U publikuan lista të plota që nuk përmbanin emrat e fituesve, ndërsa u publikuan edhe emra të personave që në të vërtetë nuk ishin fitues. Duket se disa po merren me falsifikime të hapura”, u shprehën komentatorët.

Ata vazhduan me ironi, duke pyetur: “A nuk është e çuditshme që ceremonia po mbahet për herë të parë në Londër?”

Momenti më interesant erdhi kur u shpall fituesi i Topit të Artë, çmim që në fund iu dorëzua Harry Kane, ndërsa Mbappe përfundoi në vendin e dytë.

Pavarësisht zhgënjimit për yllin francez, televizioni i Real Madridit e uroi sulmuesin anglez, përpara se ta mbyllte transmetimin me një mesazh thumbues për Barcelonën.

“Real Madridi fitoi në Barcelonë, ndërsa Harry Kane është fitues i Topit të Artë. Shihemi nesër, mirupafshim”, ishte mesazhi përmbyllës i televizionit madrilen.

Kështu, Real Madridi e riktheu në qendër të vëmendjes fitoren 2-1 ndaj Barcelonës në “El Clasico”, duke e shfrytëzuar ceremoninë për një thumbim ndaj rivalit të përbetuar, në një mbrëmje kur Mbappe nuk arriti ta fitonte Topin e Artë.

Reklamë