← Kthehu te Ballina
Politikë 23/10/2026 15:02

Rama kritikon Qeverinë: Kosova nuk ecën drejt Evropës duke ua marrë kompetencat komunave

Rama kritikon Qeverinë: Kosova nuk ecën drejt Evropës duke ua marrë kompetencat komunave

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë Kurti ndaj nivelit lokal, duke theksuar se Kosova nuk mund të bëjë hapa përpara drejt integrimit evropian duke kufizuar apo tjetërsuar kompetencat e komunave

Rama ka bërë të ditur se këtë shqetësim e ka ngritur sot gjatë takimit të katërt të Grupit Punues për Kosovën të Komitetit Evropian të Rajoneve (CoR), të mbajtur në Mitrovicën e Jugut.

Postimi i plotë:

Kosova nuk mund të ecë drejt Evropës duke ua marrë kompetencat komunave!

Sot, në Mitrovicën e Jugut, në takimin e katërt të Grupit Punues për Kosovën të Komitetit Evropian të Rajoneve (CoR), ngritëm shqetësimin për qasjen e Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal dhe tendencën për t’ua marrë komunave kompetencat që u takojnë.

Demokracia forcohet duke u dhënë qytetarëve më shumë zë dhe mundësi për të vendosur. Komunat janë institucionet më të afërta me ta dhe i njohin nevojat e qytetarëve. Dobësimi i komunave është dobësim i demokracisë.

Decentralizimi, autonomia lokale dhe subsidiariteti janë parime themelore të Evropës që synojmë. Nuk mund të kërkojmë integrim evropian, ndërkohë që largohemi nga këto parime në praktikë.

Kosovës i duhen komuna të fuqishme dhe institucione që bashkëpunojnë. Si Kryetar i Prishtinës, do të vazhdoj ta mbroj autonominë lokale gjithmonë.

Më shumë autonomi për komunat. Më shumë pushtet për qytetarët.

Reklamë