← Kthehu te Ballina
Sport 20/10/2026 20:16

Prapaskenat e prishjes së raporteve të Torresit me Barçën, që çoi te transferimi i tij te PSG-ja

Prapaskenat e prishjes së raporteve të Torresit me Barçën, që çoi te transferimi i tij te PSG-ja

Ndërsa Barcelona përgatitet të përballet sonte me Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve, të gjithë sytë do të jenë te Ferran Torres.

Sulmuesi pritej të luante një rol kyç te Barça në sezonin e ri, pas largimit të Robert Lewandowskit, por një përplasje me drejtuesit e klubit bëri që ai përfundimisht të largohej dhe t’i bashkohej PSG-së.

Një raport i publikuar së fundmi nga “AS” ka zbuluar në detaje se si Ferran përfundoi në konflikt me bordin drejtues të Barcelonës.

Sipas raportit, drejtori sportiv Deco luajti një rol qendror në këtë çështje, pasi nuk ishte bindur asnjëherë se spanjolli ishte zgjidhja afatgjatë e Barcelonës për pozitën e qendërsulmuesit.

Deco vazhdimisht refuzoi që vazhdimi i kontratës së Ferranit të ishte prioritet.

Një pjesë e arsyes ishte financiare, pasi çdo rinovim do të aktivizonte një pagesë shtesë prej tetë milionë eurosh për Manchester Cityn. Megjithatë, përtej aspektit financiar, ai thjesht nuk e shihte Ferranin si sulmuesin mbi të cilin duhej të ndërtohej skuadra.

Në këtë çështje kishte edhe një dimension politik. Ferran kishte qenë gjithmonë një përforcim i mbështetur fuqishëm nga Mateu Alemany, i cili e kishte përcjellë atë që nga koha kur luante te Valencia dhe kishte marrëdhënie të mira me agjentin e futbollistit, Hector Peris.

Duke qenë se marrëdhëniet mes Decos dhe Alemanyt dihej se nuk ishin aspak të mira, kjo lidhje duket se ndikoi negativisht në të ardhmen e sulmuesit te Barcelona.

Në përputhje me filozofinë e tij se rinovimet duhet të zgjidhen gjatë vitit të parafundit të kontratës, Deco siguroi vazhdimin e marrëveshjeve me lojtarët që i konsideronte të domosdoshëm dhe e la Ferranin për në fund.

Barcelona la të kuptohej se kishte ende kohë për një marrëveshje, duke sugjeruar se do të ulej për bisedime me përfaqësuesit e tij në shtator ose më vonë gjatë vjeshtës.

Megjithatë, ajo telefonatë nuk erdhi kurrë. Ndërsa ofertat shtoheshin, Ferran përfundimisht dha dritën e gjelbër për hapjen e negociatave me PSG-në. Bisedimet rezultuan të lehta dhe marrëveshja u finalizua më 15 gusht, për një shumë prej afro 50 milionë eurosh. Barcelonës i përdori menjëherë këto të ardhura për të ndihmuar në transferimin e Rodrit.

Ferran kishte mbërritur te Barcelona si një 21-vjeçar që mund të luante në disa pozita, por nën drejtimin e Hansi Flickut u shndërrua në qendërsulmues. Në fund, ai arriti ta zëvendësonte Lewandowskin, forma e të cilit po binte, duke siguruar një vend në formacionin titullar dhe fituar dashurinë e tifozëve.

Gjatë katër vjetëve e gjysmë te klubi katalunas, ai regjistroi 207 paraqitje, shënoi 65 gola dhe fitoi disa trofe, përfshirë dy tituj të La Ligës.

Deklaratat e tij pas mbërritjes në Paris, ku e cilësoi PSG-në si skuadrën më të mirë në Evropë, u interpretuan në Katalonjë si një thumbim ndaj Barcelonës, ndonëse ky nuk kishte qenë kurrë qëllimi i tij.

Në fakt, goli i tij i fundit për Barcelonën, i shënuar më 10 maj, ndihmoi në sigurimin e titullit të ligës dhe erdhi pikërisht kundër Real Madridit.

Pak lojtarë janë larguar nga Barcelona në një mënyrë të tillë. Sonte, Ferran rikthehet, por këtë herë si kundërshtar.

Reklamë