Pjesëtarët e FSK-së trajnohen në Kroaci për intervenime speciale dhe luftim në hapësira të mbyllura
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në një trajnim ndërkombëtar në Kroaci, në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se pjesëtarët e Togut për Intervenime të Policisë Ushtarake të FSK-së morën pjesë në trajnimin “Training Based on SOP – Standards of Interventions”, i cili u zhvillua nga 2 deri më 6 nëntor 2026, në Slunj të Kroacisë.
Sipas Maqedoncit, trajnimi u udhëhoq nga instruktorët e Njësisë Kundër Terrorizmit të Policisë Ushtarake Kroate.
Gjatë tij, pjesëtarët e FSK-së zhvilluan ushtrime praktike për procedurat standarde të intervenimit, luftimin në hapësira të mbyllura (CQB), si dhe qitjen gjatë ditës, natës dhe nga automjetet në lëvizje.
Maqedonci ka theksuar se këto aktivitete kontribuojnë në avancimin e aftësive taktike, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe harmonizimin e procedurave të FSK-së me standardet dhe praktikat e partnerëve ndërkombëtarë.
Ai ka ritheksuar përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes për thellimin e bashkëpunimit me Kroacinë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, si dhe për zhvillimin profesional dhe forcimin e kapaciteteve të FSK-së.
Të rejat Lexo më shumë
Tami flet për vendimin e Lutfi Dalipin për të mos e përfaqësuar Zvicrën
Elektrolitet i humbasim edhe gjatë ditëve të ftohta: Pse mund të dehidratohemi pa ndier etje?
Kongresisti republikan Thomas Massie nis procedurën për shkarkimin e Pete Hegseth nga posti i sekretarit të Mbrojtjes