← Kthehu te Ballina

Përmbyllet GrowthTank 2026 - dy ditë diskutime për ndikimin e AI në biznes, kreativitet dhe teknologji

ShpërndajeFacebookWhatsApp
Përmbyllet GrowthTank 2026 - dy ditë diskutime për ndikimin e AI në biznes, kreativitet dhe teknologji

GrowthTank 2026 ka përmbyllur edicionin e këtij viti, duke mbledhur rreth 1,000 pjesëmarrës gjatë dy ditëve të konferencës, më 20 dhe 21 nëntor, në AMC Hall në Prishtinë. Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i saj në biznes, marketing, kreativitet, media dhe tregun e punës ishin në qendër të diskutimeve.

I organizuar nga Growzillas, edicioni i këtij viti solli 18 folës vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët përmes prezantimeve, diskutimeve dhe punëtorive trajtuan ndryshimet që AI po sjell në mënyrën se si kompanitë funksionojnë, profesionistët krijojnë dhe njerëzit zhvillojnë aftësitë e tyre.

Me fokus në përdorimin praktik të Inteligjencës Artificiale, konferenca trajtoi pyetje që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për bizneset: Si të integrohet AI në proceset e përditshme? Çfarë po ndryshon në prodhimin e përmbajtjes? Si do të ndikojë teknologjia në vendet e punës dhe cilat aftësi do të jenë të nevojshme në të ardhmen?

Dita e parë nisi me fjalën hapëse të Benjamin Kolenoviç, ndërsa programi vazhdoi me Chris Heemskerk, i cili trajtoi mënyrën se si kompanitë mund të udhëheqin inovacionin në epokën e inteligjencës artificiale.

Kreativiteti dhe ndryshimi i rolit të profesionistëve ishin në fokus të prezantimit të Davide Colla, ndërsa Dalith Steiger-Gablinger foli për rëndësinë e strategjisë, qeverisjes dhe përdorimit të përgjegjshëm të AI në biznes.

Në pjesën praktike, Sebastien Jefferies prezantoi mënyra të përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale për automatizimin e proceseve dhe krijimin e përmbajtjes. Dita përfundoi me diskutimin ndërmjet Fat Gjakovës dhe Vis Gjinovcit, të cilët trajtuan marrëdhënien ndërmjet kreativitetit, kulturës dhe teknologjisë.

Dita e dytë zgjeroi diskutimin drejt lidershipit, edukimit, industrisë kreative dhe së ardhmes së marketingut.

Andy Fitze trajtoi lidershipin dhe vendimmarrjen në kushte pasigurie, ndërsa Charlotte Stavrou ngriti pyetjen se çfarë e bën kreativitetin të vlefshëm në një kohë kur përmbajtje mund të krijojë pothuajse çdokush përmes AI.

Sevda Albers solli perspektivën e industrisë së modës dhe fotografisë, duke theksuar rëndësinë e idesë krijuese përpara zgjedhjes së teknologjisë, kurse Darsej Rizaj foli për ndryshimet që inteligjenca artificiale po sjell në mënyrën se si njerëzit mësojnë dhe zhvillojnë njohuri të reja.

Një pjesë e programit iu kushtua edhe krijimit të përmbajtjes digjitale, ku Charlie Hills demonstroi procese praktike të punës me AI, ndërsa Joel Marlinarson trajtoi mënyrat e tërheqjes së vëmendjes së audiencës në rrjetet sociale.

Ndikimi i inteligjencës artificiale në ekonominë digjitale të Kosovës u diskutua edhe në panelin me Mërgim Cahanin, Valon Canhasin dhe Gentian Llukën.

Cahani foli për rëndësinë e mendimit kritik, përshtatjes profesionale dhe aftësive njerëzore në epokën e AI, Canhasi trajtoi ndryshimet në strukturën dhe proceset e agjencive të marketingut, ndërsa Lluka prezantoi qasjen e Telegrafit ndaj rritjes së produktivitetit dhe modeleve të reja të shpërndarjes e licencimit të përmbajtjes mediatike.

Programi vazhdoi me Rees Cowne, i cili trajtoi përdorimin e inteligjencës artificiale si mjet për zgjerimin e inspirimit dhe mundësive krijuese, ndërsa konferenca u përmbyll me prezantimin e Çelik Nimanit, me temën “Nobody Clicks Anymore”, që trajtoi ndryshimet në sjelljen digjitale dhe mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me përmbajtjen online.

Përgjatë dy ditëve, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin demonstrime praktike, të njiheshin me mjete të reja të AI dhe të diskutonin drejtpërdrejt me profesionistë që po i aplikojnë këto teknologji në industri të ndryshme.

Me rreth 1,000 pjesëmarrës, GrowthTank 2026 përmbylli edhe një edicion të organizuar nga Growzillas, duke sjellë në Prishtinë diskutime dhe përvoja ndërkombëtare mbi transformimin që inteligjenca artificiale po sjell në biznes dhe në punën e përditshme. /Telegrafi/

Burimi: telegrafi.com

Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.

Lajme të ngjashme