“Përgjegjësia bie mbi institucionet”, Canaj: Kosova dështoi në procesin e anëtarësimit në KiE
Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës vazhdon të mbetet i bllokuar në Komitetin e Ministrave.
E, lidhur me këtë ish-ambasadori Blerim Canaj në një intervistë për Ekonomia Online ka kritikuar institucionet e Kosovës për siç ka thënë ai dështimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke vlerësuar se përgjegjësia për këtë situatë bie ekskluzivisht mbi institucionet vendore, për shkak të mungesës së kompetencës dhe keqpërdorimit të politikës së jashtme për interesa të brendshme.
Canaj, ka thënë se mosanëtarësimi në Këshillin e Evropës e ka dëmtuar Kosovën jashtëzakonisht shumë.
“Po tash, Këshilli i Evropës është diçka që kam përshtypjen që e kemi dështuar edhe vetë. Jo domosdoshmërisht për shkak se kemi, nga Bashkimi Evropian, për shkak se i kemi pasur disa kushte apo ka qenë kushti kryesor që të dorëzohet ai farë drafti i famshëm në Gjykatën Kushtetuese. Do të thotë, ndoshta pastaj do të ishim pjesë. Kjo natyrisht që, kur e mendoj edhe procesin në Hagë, neve na dëmton jashtëzakonisht shumë dhe këtu ekskluzivisht do i bëja përgjegjëse institucionet tona për moskompetencën, dhe mospasjen e ndjesisë se çka do të thotë dhe si duhet të jetë, mirëpo gjithashtu edhe për keqpërdorimin e politikës së jashtme për interesa të brendshme. Pjesa tjetër është pjesa e diplomacisë dhe e bashkëpunimit me, partnerët tanë. Kur kemi mungesë bashkëpunimi, natyrisht që mungojnë edhe njohjet dhe, t’ju them të drejtën, jo që pres ndonjë ndryshim edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Canaj.
Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj vendit, duke rikujtuar se pushtetin e kanë marrë nga qytetarët për të zgjidhur problemet dhe jo për të krijuar kriza artificiale.
“Së pari, ata të cilët e kanë marrë përgjegjësinë dhe pushtetin duhet ta duan Kosovën më shumë dhe duhet ta dinë që aty janë deleguar nga qytetari që t’i zgjidhin problemet e Kosovës dhe jo vetëm të ndërtojnë probleme, apo të krijojnë kriza artificiale vetëm e vetëm për tu hudhur pluhur sy qytetarëve. Edhe së dyti, të aktivizojnë diplomacinë e tyre dhe të rrisin, bashkëpunimin, për shkak se në fund të ditës ata duhet ta kenë të qartë që ne mund të jemi superfuqi, mirëpo pa partnerë vështirë se mund të ecim përpara, e lëre më që jemi tani madje të injoruar totalisht, që i bie që qeverisë i duhet shumë punë, sidomos në pjesën e diplomacisë, për shkak se në fund të ditës, e kam përmendur shpesh, është politika e jashtme ajo që na i determinon neve shumë çështje, madje edhe vetë ekonominë”, ka thënë Canaj për Ekonomia Online.
Kosova ka aplikuar në këtë organizatë më 12 maj të vitit 2022 duke u bazuar në nenin 4 të Statutit të KiE-së, që lejon çdo shtet të kërkojë anëtarësim nëse respekton parimet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës caktoi një raportues për hartimin e opinionit mbi kërkesën e Kosovës dhe më 27 mars 2024, Komisioni për Politikë dhe Demokraci miratoi një opinion pozitiv për anëtarësimin me shumicë të madhe votash.
Por, Kosova mbeti jashtë Këshillit të Evropës për arsye se Komiteti i Ministrave, nuk e përfshiu në agjendë çështjen e anëtarësimit, pasi Kosova nuk përmbushi një prej kushteve që disa nga shtetet kryesore kishin vënë – përcjelljen në Kushtetuese të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugë të reja për avancimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë.
Kosova do të mund të ratifikonte konventën për të drejtat dhe liritë e njeriut. Me këtë qytetarët e Kosovës do të kishin mundësi të realizojnë të drejtat e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), pasi t’i shterojnë të gjitha mjetet juridike në Kosovë.
Anëtarësimi do të promovonte gjyqësorin e pavarur, luftën kundër korrupsionit dhe reformat ligjore, me mbikëqyrje dhe përkrahje nga Këshill i Evropës.
Gjithashtu do ta rriste pozitën ndërkombëtare të Kosovës, sidomos në institucionet evropiane.
Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.
Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.
Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.
Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.
Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.
