Parlamenti Evropian i jep Gjykatës Ndërkombëtare Penale çmimin Saharov
Parlamenti Evropian i ka ndarë të enjten Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, në shenjë mbështetjeje për institucionin pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërcënojnë punën e tij.
Çmimi ndahet çdo vit për individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ndër fituesit e mëparshëm janë lideri i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, dhe figura e opozitës ruse, Alexei Navalny, transmeton
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi sanksione ndaj GJNP-së më 9 tetor, pas kritikave të përsëritura për fletarrestimin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe hetimet mbi veprimet e trupave amerikane në Afganistan.
“Ky është një mesazh shprese dhe rezistence për Donald Trumpin. Ne nuk do ta braktisim sundimin e ligjit dhe drejtësinë ndërkombëtare. Do të qëndrojmë përkrah GJNP-së për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi eurodeputetja franceze Chloé Ridel, e cila kishte propozuar kandidaturën e gjykatës.
Udhëheqësit e grupeve politike në Parlamentin Evropian e zgjodhën GJNP-në mes tri kandidaturave përfundimtare. Dy kandidatët e tjerë ishin avokati tanzanian Tundu Lissu, i cili përballet me përndjekje politike, si dhe motrat iraniane Taraneh dhe Romina Rahimi, të nominuara në emër të personave të përndjekur nga autoritetet iraniane.
Grupi i Socialdemokratëve (S&D) kishte propozuar gjykatën dhe zyrtarët e saj, ndërsa grupet e tjera politike e mbështetën përfundimisht kandidaturën. Vendimi i befasoi disa persona brenda Parlamentit, të cilët kishin pritur që çmimi t’i jepej Lissut.
Javën e kaluar, eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike i kërkuan presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mbrojë gjykatën me seli në Holandë nga pasojat e sanksioneve amerikane.
Ata kërkuan përdorimin e “të gjitha instrumenteve në dispozicion”, veçanërisht të Statutit të Bllokimit të BE-së, i cili synon të mbrojë kompanitë dhe individët evropianë nga efektet e disa sanksioneve të vendosura nga vende të treta.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, i cilësoi më 9 tetor kërcënimet me sanksione ndaj GJNP-së si “të papranueshme” dhe rikonfirmoi angazhimin e bllokut ndaj së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, Bashkimi Evropian ende nuk ka ndërmarrë masa konkrete në përgjigje të sanksioneve amerikane.
Të rejat Lexo më shumë
Një grua amerikane fajëson vaksinën për vdekjen e binjakëve, përballet me dënimin me vdekje për vrasje
Legjenda e Chelseat beson se Palmer mund të arrijë nivelin e Hazardit dhe Zolas
Apeli merr vendim për seancën në rastin e Liridona Ademajt