Oda e Mjekëve të Kosovës reagon pas sulmit ndaj mjekut në Vushtrri
Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj mjekut Dr. Rabit Dërmaku, i cili u sulmua nga një pacient më 19 tetor 2026, në hapësirat e vendit të punës, në Spitalin e Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Në reagimin publik të datës 20 tetor, Oda e Mjekëve e ka dënuar sulmin, duke theksuar se dhuna ndaj personelit shëndetësor nuk duhet të tolerohet dhe se raste të tilla po përsëriten.
“Sulmet fizike e verbale ndaj personelit shëndetësor nuk kanë të ndalur në asnjë rrethanë e kohë, të cilët në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçantë, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme të shërbimmarrësve”, thuhet në reagimin e Odës.
Oda ka kërkuar nga organet e drejtësisë që rastet e sulmeve ndaj mjekëve të trajtohen me prioritet, duke bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e përsëritjes së tyre.
“Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat duhet të vihen në veprim, sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryerësve të këtyre veprave penale tu caktohet masa e paraburgimit, duke marrë parasysh probabilitetin që vepra e tillë mund të jetë e përsëritur ndaj mjekut i cili i është ekspozuar veprimit të tillë kriminal”, thuhet në reagim.
Oda ka theksuar se mjekët, si persona të autorizuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, duhet të gëzojnë mbrojtje juridike gjatë ushtrimit të detyrës, veçanërisht kur përballen me sulme në vendin e punës.
Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve kompetente që të rrisin nivelin e sigurisë në institucionet shëndetësore, duke paralajmëruar për rrezikun e ekspozimit të mjekëve ndaj dhunës.
“Menaxherët e Institucioneve Shëndetësore duhet të dinë se nuk janë punëtorët shëndetësor ata të cilët duhet të merren me sigurimin e ambientit të sigurt, por ata vetë përmes mekanizmave që i kanë, përndryshe menaxherët do mbajnë përgjegjësi për incidentet e mundshme”, thuhet në reagim.
Në fund, Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur se do t’i përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë për të bashkëpunuar me akterët e tjerë shtetërorë, me qëllim të parandalimit të dhunës ndaj mjekëve dhe krijimit të kushteve të sigurta të punës për të gjithë profesionistët shëndetësorë në Kosovë.
Të rejat Lexo më shumë
ARTIFICIAL INTELLIGENCE AND FASTER THREAT RESPONSE TAKE CENTRE STAGE AT BULGARIAN SECURITY SUMMIT 2026
Franca vlerëson se dëmet nga dhuna gjatë protestave të fundjavës arrijnë deri në qindra miliona euro
Vlorë, mësimi në universitet vijon normalisht