← Kthehu te Ballina
Lajme 14/10/2026 10:01

Nuk kam fëmijë, atëherë kujt do t’ia lë sendet e mia të çmuara kur të vdes?

Nuk kam fëmijë, atëherë kujt do t’ia lë sendet e mia të çmuara kur të vdes?

Vazoja e pazakontë, shandani në formë bufi, unaza e nënës sime - këto sende mbajnë një pjesë timen dhe bartin me vete një problem ekzistencial.

Nga: Kiran Sidhu / The Guardian

Përkthimi: Telegrafi.com

Një mik i imi kohët e fundit diskutoi me mua testamentin e tij. Ai foli për rëndësinë e kujdesit financiar të vajzës së tij pasi ai të mos jetë më. Si një grua pa fëmijë, i thashë me bindje se paratë e mia do t’u shkojnë organizatave që kanë pasur domethënie për mua: Mbështetja Mekmillan për Kancerin [Macmillan Cancer Support] dhe organizatave bamirëse për kafshët. Më habit se si njerëzit mendojnë se mungesa e fëmijëve është problem kur bëhet fjalë për paratë e trashëgimisë; për mua ka qenë gjithmonë e qartë se paratë e mia do t’ua jepja kauzave që më prekin në zemër. Por, pastaj miku im bëri një pyetje disi të papritur. Më pyeti se kush do ta marrë unazën e nënës sime të ndjerë.

Kjo më shtyri të mendoj: ku shkojnë sendet e çmuara të jetës sonë kur ne nuk jemi më këtu? Sa herë që jam larg shtëpisë, mezi pres të ribashkohem me këto gjëra: vazon e pazakontë që qëndron në dritaren e dhomës sime të punës dhe shandanin në formë bufi - një dhuratë ditëlindjeje nga miku im poçar. Këto sende mbajnë pjesë të miat - çfarë do të bëhet me to? Nëse ke fëmijë, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk të paraqitet si enigmë; si një yjësi, përgjigjja është në një përputhje të përsosur. Nëse nuk ke fëmijë, pyetja mund të të çojë në një ankth ekzistencial.

Ky problem ka shkaktuar njëkohësisht shqetësim dhe magjepsje mes miqve të mi pa fëmijë. Është një temë bisede që është diçka si një vrimë e zezë.

Jam kumbare e një vajze 12-vjeçare - nëse do t’ia lija asaj unazën e nënës sime (ajo ishte njëvjeçare kur nëna ime vdiq dhe prandaj nuk e mban mend), a mund t’i besoj se do ta çmojë? Po të ishte vajza ime, a do të ishte ndryshe, a do ta ndieja ende këtë ankth? Miqtë e mi dhe unë jemi përballur me këtë pyetje.

Kam parë mjaft episode të Karvanit të antikiteteve [Antiques Roadshow] për të ditur se bota është plot me njerëz të cilët i çmojnë sendet që dikur u përkisnin të afërmve që nuk i kanë takuar kurrë. Nëse unaza do t’i kalonte vajzës kumbare e së cilës jam, unë do të isha kujdestarja e fundit që e dinte vërtet se çfarë domethënie kishte ajo për nënën time. Por, me të do të ankorohej një marrëdhënie e re: ajo që kam me vajzën kumbare e së cilës unë jam. Njohja e kësaj më ka bërë të kuptoj se sentimentaliteti mund të trashëgohet dhe vërtet trashëgohet.

E kuptoj se shqetësimet e mia për kalimin e unazës së nënës sime burojnë nga përpjekja për t’u kapur pas asaj që ka mbetur në mënyrë të prekshme prej saj. Pa e kuptuar, kam dashur që koha të ndalet. Filozofi Heraklit tha: “Asnjë njeri nuk shkel dy herë në të njëjtin lumë. Sepse nuk është i njëjti lumë dhe ai nuk është i njëjti njeri”. Jeta ecën përpara dhe jeta e kujdestarëve të parë të gjërave që kemi për zemër, të cilët kanë vdekur prej kohësh, do të bëhen histori të së kaluarës.

Kur të largohem nga kjo botë, nuk do të jem më kujdestarja e unazës - dhe kuptimi i saj do të ndryshojë me pronarin e ri. Kështu funksionon jeta; përmes kalimit nga një dorë në tjetrën. Një ditë do të më duhet të heq dorë nga ajo që nuk mund të më përkasë më. Pranimi i kësaj më ka sjellë njëfarë qartësie dhe ngushëllimi.

Megjithatë, në rrethin tim të miqve pa fëmijë ka lindur edhe një dilemë e papritur. Shoqja ime ka dy mbesa dhe një nip. Mbesat nuk bëjnë përpjekje të jenë pjesë e jetës së saj dhe ajo planifikon t’ia lërë nipit ato që ka. I kanë thënë se kjo do të shkaktonte përçarje mes vëllezërve e motrave dhe se plani i saj është “i pakonsiderueshëm”. Sa duhet t’i marrim parasysh ndjenjat e të tjerëve kur bëhet fjalë për hartimin e testamenteve tona?

Përmbajtja e testamenteve tona nuk është vetëm shfaqja e fundit e jetës sonë - por, shfaqja që mbetet. Ne, njerëzit pa fëmijë, mund të jemi të lirë të zgjedhim se kujt do t’ia lëmë zotërimet tona, pa qenë të lidhur nga pritshmëritë dhe tradita, por pikërisht për shkak të kësaj lirie jemi më të ekspozuar ndaj kritikave të rrepta. Nuk është aq skematike sa t’ua lësh gjithçka fëmijëve.

Artisti David Hockney vdiq pa pasur fëmijë, por do t’i lërë botës një trashëgimi më të madhe se shumica. Unë jam shkrimtare; ndoshta fjalët e mia do të prekin 10 ose një mijë njerëz - sigurisht më shumë se numri i fëmijëve që mund të kisha pasur. Përmes fjalëve të mia dhe parave që do t’ua lë organizatave bamirëse, do t’u bëj mirë shumë njerëzve, jo vetëm disave.

Në fund, të gjithë lëmë pas një lloj trashëgimie, pavarësisht nëse kemi fëmijë apo jo; gjurmë të vetes sonë që pëshpëritin për ekzistencën tonë të dikurshme. Nuk më intereson të lë ndonjë trashëgimi madhështore kur të mos jem më, por nuk mund ta mohoj se ka diçka të bukur në lënien e një shenje prej vetes sonë në një botë që e kemi lënë pas.

Reklamë