Nga siguria e fëmijëve te vjedhja e kartave bankare, ja çfarë i shqetëson shqiptarët në internet
Përdorimi gjithnjë e më i madh i internetit dhe mjeteve digjitale po shoqërohet edhe me shqetësime të reja për sigurinë, privatësinë dhe ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme.
Në Shqipëri, shqetësimi kryesor lidhet me sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në internet, një temë që rezulton më e theksuar se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit Balkan Barometer 2025, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), 50% e të anketuarve në Shqipëri përmendin sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve si shqetësimin kryesor që lidhet me përdorimin e internetit. Kjo është 7 pikë përqindje mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor, ku ky shqetësim ndahet nga 43% e qytetarëve.
Në vendin e dytë renditen krimet në internet, si vjedhja e të dhënave personale apo e informacionit të kartave bankare. Për këtë rrezik shprehen të shqetësuar 39% e shqiptarëve, pothuajse në të njëjtin nivel me mesataren rajonale prej 40%.
Një tjetër element ku Shqipëria qëndron nën mesataren rajonale është siguria e pagesave online. Vetëm 21% e të anketuarve në vend e identifikojnë këtë si shqetësim, kundrejt 26% në nivel rajonal. Ndërkohë, 13% shprehen të shqetësuar për mungesën e aftësive të nevojshme digjitale për të përdorur në mënyrë aktive teknologjinë, njësoj sa mesatarja e rajonit.
Edhe frika se përdorimi i inteligjencës artificiale mund të çojë në humbjen e vendeve të punës rezulton relativisht e ulët në Shqipëri. Vetëm 6% e të anketuarve e përmendin këtë si shqetësim, krahasuar me 8% në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, një nga të dhënat më interesante të raportit lidhet me qytetarët që nuk shohin arsye për t’u shqetësuar nga shtimi i përdorimit të internetit dhe mjeteve digjitale. Në Shqipëri, kjo përgjigje regjistron 30%, kundrejt 22% në mesataren rajonale. Shqipëria ka kështu përqindjen më të lartë në rajon të personave që deklarojnë se nuk shqetësohen nga këto zhvillime./Scan
Të rejat Lexo më shumë
“Nuk dua t’i hyj askujt në hak”, gjesti i taksistit kosovar që e mahniti turken: Ja pse zgjodha Kosovën për të jetuar
Lazio shkon në pushim me epërsi ndaj Napolit
NASA sjell spektakël ajror në Florida, në skenë X-59, F-5 dhe MiG-29