Nga shtëpia e Joan Garcias te ajo e Koundes, arrestohet shqiptari që dyshohet për vjedhjet në shtëpitë e yjeve të Barcelonës
Dy persona janë arrestuar nga policia katalunase nën dyshimin për përfshirje në një seri vjedhjesh në shtëpi luksoze, përfshirë edhe banesën e portierit të Barcelonës, Joan Garcia.
Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, të arrestuarit, të moshës 58 dhe 42-vjeçare, dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që ka kryer vjedhje në disa prona në Kataluni.
Ngjarja që lidhet me portierin e Barcelonës kishte ndodhur më 10 janar, kur Garcia ndodhej në Arabinë Saudite me skuadrën e tij për Superkupën e Spanjës. Të dyshuarit dyshohet se shfrytëzuan mungesën e tij për të hyrë në shtëpinë ku ai jetonte me partneren, në zonën e Baix Llobregat.
Megjithatë, aktivizimi i sistemit të alarmit bëri që policia të ndërhynte, duke parandaluar vjedhjen.
Hetimet zbuluan gjithashtu se të dyshuarit kishin vëzhguar edhe shtëpinë e Jules Koundes, mbrojtësit francez të Barcelonës, duke përgatitur një vjedhje të mundshme, por pa e realizuar atë.
Sipas të njëjtit raportim, njëri prej të dyshuarve, Arsim Blaku, është person i njohur për policinë për shkak të veprave të përsëritura dhe dyshohet se ka pasur rol drejtues në organizimin e këtyre operacioneve.
Dy të arrestuarit janë dërguar në paraburgim, ndërsa një grua tjetër e përfshirë në hetim është liruar pasi është paraqitur para gjykatës.
Hetimet për këtë grup të dyshuar kriminal po vazhdojnë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë lidhjet e mundshme të tij me vjedhje të tjera në shtëpi luksoze në Kataluni.
Të rejat Lexo më shumë
Mediumi zviceran "SRF" shkruan për protestën në Shqipëri, fokusin ia jep deputetes që la partinë e pushtetit për t'u rreshtuar me popullin
Egnatia debuton me barazim në Ligën e Konferencës, Gruda shënon ndaj Midtjylland
Tronditet Shkodra/ Shpërthim me lëndë plasëse, policit të Kriminalistikës i vendoset tritol në makinë