Nga mungesa te teprica në arkitekturë!
Reflektim personal mbi konsumerizmin arkitektonik në Kosovë, në Ballkan e tutje!
Shkruan: Arlinda Rrushaj-Sadiku
Konsumerizmi është fenomen ku njerëzit aspirojnë, ëndërrojnë, blejnë apo krijojnë të mira përtej nevojave bazike. Më shumë hapësirë, më shumë gjana, me ble diçka trendy, me ndërtu diçka ma mbresëlënëse, me efekt wow. Padyshim që ajo që kemi mund të na shërbejë edhe ma tutje, por, duke rënë pre e konsumerizmit, na duket e pamjaftueshme. Nuk na mjafton ma ajo që kemi dhe vazhdimisht synojmë ma shumë.
Në arkitekturë, kjo merr formë fizike. Shndërrohet në dëshirë për një shtëpi shumë ma të madhe, një kat shtesë, një hyrje ma impozante pa ndonjë ndërlidhje të qartë me përdorimin, një fasadë xhami që nuk i përgjigjet funksionit. Të gjitha këto, shpesh, për me u dallu në mesin e masës së gjerë. Apo, siç kemi qef të shprehemi ne arkitektët, secila ndërtesë lufton për statusin landmark! Por, nëse çdo ndërtesë synon të bohet landmark, çka ndodh me qytetin si tërësi?
Brenda hapësirave, konsumerizmi është edhe ma i frikshëm, sepse është ma shkurtpamës. Merr formën e trendeve të reja në kuzhinë pothuajse çdo vit, të materialeve trendy që s’janë natyrale, nuk janë të qëndrueshme, por janë të lira, dhe të një dëshire gjithnjë e ma të madhe për ta ndryshu enterierin çdo tri vite, sepse na është ba bajat.
Ajo çka ndërtojmë nuk tregon vetëm se si jetojmë, por edhe se si duam të na shohin të tjerët. Në një mënyrë, arkitektura bëhet edhe shprehje e imazhit që duam ta krijojmë për veten. Shtëpia është dëshmi suksesi, ndërtesa e biznesit si shprehje prestizhi, kurse enterieri si një imazh i yni që duhet të jetë gjithmonë taze, ashtu si garderoba apo dëshira jonë për ta ruajt pamjen rinore.
Por, a është vetëm kjo dëshirë për status e prestizh që reflektohet nëpërmjet konsumerizmit arkitektonik?
Unë mendoj që problemi është shumështresor, e një nga nënshtresat lidhet me mungesat që e kanë karakterizu historinë tonë të banimit gjatë 70–80 viteve të fundit.
Këtë ma së miri e kuptoj prej vetes. Jo vetëm si arkitekte, por si një fëmijë që e ka kalu fëmijërinë në një banesë prej vetëm 54 m². Imagjinoni, 3 fëmijë e 2 prindër në një banesë njëdhomëshe, si në këngën e Adelinës.
Falë zgjuarsisë së nanës, njëri prej ballkoneve ishte shndërru në kuzhinë. Kishim ridestinu një hapësirë për një funksion të domosdoshëm, të cilin banesa nuk kishte mundësi të na e ofronte. Por ky ridestinim kishte çmimin e vet. Pasi mbyllja ishte improvizim i kohës, kjo nënkuptonte që nana shumicën e kohës gatuante në të ftohtë.
Sot, kur e analizoj këtë zgjidhje, shoh njëkohësisht aftësinë për t’u adaptu kushteve, por edhe kompromisin që vinte pas zgjidhjeve të improvizuara. Këto improvizime i shihja kudo: në shkallë të mbyllura, terasa të mbyllura, kulme të rrafshta të shndërrume në kulme të pjerrëta. Apo tryezari e dhoma të ndenjes që natën shndërroheshin në dhoma të fjetjes.
Të gjitha improvizime.
Këto funksiononin, edhe pse nënkuptonin ma shumë punë dhe sakrificë. Nënkuptonin lëvizjen e mobiljeve, shtrirjen e shtretërve dhe, në mëngjes, kthimin e çdo gjëje në vendin e vet. Multifunksionalitet që kërkonte kohë dhe mund. Dhe kete pershtatje te vazhdueshme ma se shpeshti e benin nanat tona.
Por problemi ma i madh nuk ishte mundi apo koha, por mungesa e privatësisë, një çmim shumë i lartë për një gjeneratë të tërë!
Prandaj, nuk dua ta romantizoj mungesën e hapësirave adekuate për jetesë të shëndoshë. E di nga eksperienca çka do të thotë një dhomë shtesë, një kuzhinë e ngrohtë ose mundësia për ta mbyllë derën për pak privatësi.
Dhe kur nana ime, më në fund, ndërtoi shtëpi, e ndërtoi katërkatëshe dhe me bodrum.
Nga 54 m² te 5 nivele ka një histori që nuk mund të lexohet vetëm përmes dimensioneve. Ka vite përshtatjeje, pune, si dhe një dëshirë shumë të madhe për jetë ma të rahatshme. E kuptoj pse, pas aq shumë vitesh kufizimesh, mundësia për ma shumë hapësirë mund të ndihet si liri.
Edhe unë, si shumë të tjerë të asaj gjenerate, mund të tundohem të mbidimensionoj gjatë projektimit, jo vetëm të shtëpive. Mund ta kemi të vështirë të mos biem pre e kësaj dëshire që fshihet si nënshtresë në të kaluarën tonë. Formimi profesional bie ndesh me të, por nuk e fshin dot kujtesën emocionale të të jetuarit ngushtë. Këtë e kuptoj shumë mirë!
Por pikërisht këtu fillon pyetja ime: A po projektojmë për nevojat e jetesës që kemi sot, apo po mundohemi t’i japim hapësirë ndërgjegjes sonë, asaj që na mungonte dikur?
Si kundërpërgjigje, më kujtohen fjalët e një profesori tim: në arkitekturë, çdo gjë duhet të jetë në ekuilibër me nevojën, as e nëndimensionume, as e mbidimensionume.
Me kalimin e viteve, por edhe me ngritjen e vetëdijes ndërmjet profesionistëve për arkitekturë të qëndrueshme, ky mësim merr një kuptim ma të thellë për mu. Është e kundërta e konsumerizmit arkitektonik.
Edhe pse vërehet ma së lehti te madhësia e hapësirave, ky ekuilibër nuk përfundon vetëm te dimensionet apo proporcionet. Ka të bëjë me aftësinë për ta kuptu nevojën, me projektu në ekuilibër me të, me e respektu dëshirën, por edhe me i kuptu pasojat e zgjedhjeve tona.
Ashtu siç mungesa kishte një çmim, edhe teprica krijon detyrime që shpesh nuk i kemi mendu: ma shumë mirëmbajtje, ma shumë materiale dhe nevojë ma të madhe për konsum të energjisë; dhe jo domosdoshmërisht arkitekturë ma të mirë!
Përmes këtij tensioni të vazhdueshëm mes mungesës dhe tepricës, dua ta ngre këtë çështje në fushën e arkitekturës që prodhohet në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, por edhe në Ballkan.
Jo vetëm në shtëpitë tona, por edhe në shkolla, spitale, qendra tregtare e ndërtesa të tjera. Ndërtojmë shkolla të mëdha, me korridore e hapësira impozante, por pa kabinete të shkencave e pa pajisje për mësim praktik. Apo spitale të mëdha, por pa laboratorë të mjaftueshëm e pajisje adekuate. Pra, kemi hapësirë, por jo domosdoshmërisht kushte për funksionin që ajo duhet ta përmbushë. Sa prej asaj që investojmë shkon në madhësinë dhe pamjen e ndërtesës, e sa në atë që ndodh brenda saj? Apo në mirëmbajtjen e vazhdueshme të ndërtesës, si jashtë, por edhe brenda?
Sa prej asaj që projektojmë e ndërtojmë u përgjigjet nevojave të paramendume a të analizuara mirë? Sa udhëhiqet nga dëshira për madhështi, nga tregu, trendet ose nga nënshtresa e vjetër, frika me rrënjë se nuk kemi mjaft hapësirë?
Dhe ku jemi ne, arkitektët, në këtë nexus?
A i ndihmojmë ata për të cilët projektojmë ta kuptojnë çka nënkuptojnë hapësirat që po propozojmë, jo vetëm në aspektin fizik, të përmbushjes së funksionit apo identitetit arkitektonik, por edhe çfarë ndërsjellin këto hapësira në të ardhmen?
Pikërisht këtu e shoh edhe përgjegjësinë tonë si arkitektë. Jo vetëm ta realizojmë dëshirën e klientit, por ta ndihmojmë ta dallojë nevojën reale nga teprica që krijon detyrime të reja. Ta kuptojë jo vetëm çka fiton me një hapësirë shtesë, por edhe çka nënkupton ajo për përdorimin, mirëmbajtjen, konsumin e energjisë dhe mundësinë për t’iu përshtat nevojave që ndryshojnë me kohën.
Dhe këtu dua të jem e qartë: nuk është qëllimi im ta kritikoj dëshirën për një shtëpi ma të madhe, për ma shumë rehati apo për një hapësirë që na përfaqëson. Përkundrazi, historia ime më ka mësu ta kuptoj shumë mirë këtë dëshirë. Por ta kuptosh dëshirën për ma shumë nuk do të thotë domosdoshmërisht ta arsyetosh çdo tepricë.
Mendoj që detyra jonë është pikërisht ta gjejmë atë ekuilibër mes dëshirës dhe nevojës, mes lirisë për të kriju dhe përgjegjësisë për atë që ndërtojmë. Jo t’ua imponojmë njerëzve mënyrën se si duhet të jetojnë, por t’iu ndihmojmë të marrin vendime ma të informume, duke i kuptu edhe pasojat afatgjata të tyre.
Fast architecture / Arkitektura e shpejtë
Konsumerizmi në arkitekturë nuk shfaqet vetëm me dëshirën për të ndërtu ma shumë, por edhe me dëshirën për ta ndryshu vazhdimisht atë që tashmë kemi dhe që funksionon.
Kjo i ngjan shumë fenomenit “fast architecture”, veçanërisht në enterier, një mënyrë projektimi dhe konsumi që ndjek ritmin e “fast fashion”. Ndryshon ngjyra e sezonit çdo vit, ndryshojnë materialet trendy çdo 6 muaj, ndryshon edhe mënyra e prezantimit përmes renderave në media sociale dhe, papritmas, ambientet tona marrin pamjen e skenografive të showbizit apo të stilit të skenografisë hollivudiane.
Gjithashtu, është shqetësuese se si fjala “moderne” përdoret shpesh si garancion i pashpjegum i cilësisë së projektimit.
Jo domosdoshmërisht një “open plan”, qoftë në banim, qoftë në zyrë, është qasja ma e mirë. Në fakt, shpesh anashkalohet ajo që duhet të jetë evidente: projektimi duhet të ndjekë si funksionin, ashtu edhe mënyrën e jetesës apo të punës.
Një ndërtesë apo ambient mund të jetë shumë modern, por jo domosdoshmërisht i mendum mirë. Mund të duket bukur në fotografi, të ngjallë emocion fillestar, por të jetë i parehatshëm, i vështirë për mirëmbajtje ose i realizum me materiale që nuk i përshtaten përdorimit, kanë jetë të shkurtër apo janë bile edhe të dëmshme për shëndetin (p.sh., disa materiale të brendshme me bazë plastike).
Dua ta bëj një dallim: çmimi i ulët nuk e bon automatikisht një material të pasigurt apo jo të qëndrueshëm, ashtu siç çmimi i lartë nuk garanton cilësi.
Por, kur pamja dhe shpejtësia e projektimit dhe realizimit bëhen prioritet, duhet ta pyesim veten çka po mungon: përshtatshmëria e produktit, kontrolli i specifikacioneve teknike, siguria, emetimet e dëmshme, carbon footprint apo edhe qëndrueshmëria gjatë përdorimit.
Një panel që imiton gurin apo drurin mund të jetë zgjidhje e arsyeshme në një rast, por krejt e papërshtatshme në një tjetër. Gjithmonë duhet shtruar pyetja: pse e zgjedhim, ku e vendosim dhe sa duhet të zgjasë materiali?
A i shërben hapësirës dhe funksionit, apo vetëm efektit WOW?
Kur një material jetëshkurtër vendoset për hir të një renderi po aq pompoz sa jetëshkurtër, cikli i zëvendësimit bëhet pjesë e projektit që në fillim. Klienti blen një “fast architecture”, por bashkë me të blen edhe detyrimin për ta rinovu enterierin shumë shpejt.
Kështu krijohet një cikël i vazhdueshëm ku ambientet ndryshohen jo sepse nuk funksionojnë ma, por sepse nuk duken ma bashkëkohore.
I kthehem banesës 54 m². Ndryshimet apo përshtatjet e asaj kohe lindnin pikërisht nga nevoja. Nuk ishin zgjedhje të lira estetike.
Sado që nuk dua ta minimizoj nevojën për liri të kreativitetit, e kundërshtoj “fast creativity”, kreativitetin që prodhon ndryshim për hir të ndryshimit e jo të cilësisë.
E njëjta logjikë shfaqet edhe në shkallën e projektit dhe të dimensionimit.
Një ndërtesë mund të shërbejë si reklamë për veten dhe për atë që shitet brenda saj, pa e respektu kontekstin përreth. Fasada premton luks dhe ekskluzivitet. Forma e pazakontë synon të tërheqë shikime, të dallohet nga rrethina dhe nga pjesa tjetër e qytetit, shpesh duke e eliminu kohezionin urban apo duke mos e marrë fare parasysh.
Apo, siç kemi qef ne arkitektët të shprehemi, secila ndërtesë lufton për statusin e një landmark!
Por, nëse secila ndërtesë synon të jetë landmark, çka ndodh me qytetin si tërësi? A duhet secila ndërtesë me u dallu, apo ndonjëherë vlera e saj qëndron pikërisht në mënyrën se si përshtatet me rrethinën dhe kontribuon në krijimin e një tërësie urbane?
Problemi nuk është dëshira për të kriju arkitekturë të veçantë, por kur kjo dëshirë merr përparësi ndaj funksionit, kontekstit dhe jetës brenda ndërtesës.
Për shembull, një fasadë xhami mund të përzgjidhet për të reflektu ndjenjën e luksit. Nga jashtë mund të duket mbresëlënëse. Por, nëse diellzimi dhe hijezimi nuk janë analizu mirë, përdoruesit brenda përballen me mbinxehje, nevojë për ftohje të vazhdueshme dhe masa shtesë për hijezim.
Pamja që e “shet” objektin i krijon problemet gjatë përdorimit.
Apo një hyrje impozante mund ta bëjë një institucion apo bankë të duket e suksesshme dhe e rëndësishme, pa e ba ma të lehtë apo ma funksionale pritjen apo marrjen e shërbimeve.
Pikërisht këtu lind pyetja: A projektojmë vetëm që një ndërtesë të dallohet, apo i kushtojmë të njëjtën vëmendje edhe përmirësimit të përdorimit të përditshëm?
Sa është çmimi i përshtypjes së parë përballë rehatisë, funksionit dhe eliminimit të shpenzimeve shtesë të mirëmbajtjes?
Dhe në fund, a duhet ta masim suksesin e një ndërtese me atë se sa shumë bie në sy, apo me atë se sa mirë i shërben jetës brenda saj, sot dhe në të ardhmen?
Sepse pyetja nuk është vetëm se sa hapësirë mund të ndërtojmë, por sa hapësirë na mjafton, për çka na duhet dhe çfarë kostoje jemi të gatshëm të bartim për të.
Të rejat Lexo më shumë
Nis aksioni në orët e mbrëmjes/ Policia me arrestime në Tiranë
KEK-u shpall tender mijëra euro për furnizim me radiolidhje
Paul Pogba ende në kërkim të klubit të ri