Nga errësira drejt dritës: Filarmonia e Kosovës sjell sonte koncertin e veçantë në Prishtinë
Filarmonia e Kosovës do të mbajë sonte, më 1 nëntor, koncertin simfonik “From Darkness to Light”, duke i ofruar publikut një mbrëmje të veçantë muzikore që ndërthur emocionet, reflektimin dhe shpresën.
Koncerti do të fillojë në orën 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku Orkestra e Filarmonisë së Kosovës do të interpretojë nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo.
I ftuar special i mbrëmjes do të jetë kitaristi i njohur slloven Mak Grgić, i cili gjatë karrierës së tij është nominuar katër herë për çmimin prestigjioz Grammy.
Programi artistik është konceptuar si një rrugëtim muzikor nga errësira drejt dritës, duke trajtuar përmes veprave simfonike tema universale si vuajtja, konfliktet, ndarjet, shpresa dhe gëzimi i jetës.
Në repertor përfshihen tri vepra të rëndësishme: “Tragic Overture” e kompozitorit Johannes Brahms, “Borders” e Michael Abels dhe Simfonia nr. 8 e Antonín Dvořákut.
Përmes këtyre kompozimeve, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një udhëtim të pasur emocional, ku muzika shndërrohet në një mjet shprehjeje për përballjen me vështirësitë dhe rikthimin e shpresës.
Koncerti realizohet në bashkëpunim me festivalin ReMusica, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Italisë në Prishtinë.
Kjo mbrëmje synon t’i sjellë publikut një përvojë të veçantë artistike, duke bashkuar interpretues ndërkombëtarë dhe muzikantët e Filarmonisë së Kosovës në një program që përcjell mesazhin e shpresës përmes fuqisë së muzikës simfonike.
Të rejat Lexo më shumë
Piloti ndan momentin magjik, Dritat Veriore ndriçojnë qiellin gjatë fluturimit
Kush do të bëhet president/e në Gjermani? Merkel e do një grua në postin e kreut të shtetit
Si krijohet frika në teatër? Regjisorët zbulojnë sekretet e shfaqjeve horror që tmerrojnë publikun