Nevzati kundërshton mbylljen e ambulantës në Kishnapole: Banorët detyrohen të udhëtojnë 12 kilometra për shërbime shëndetësore
Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Bujar Nevzati, ka kundërshtuar mbylljen e ambulantës në Kishnapole, duke thënë se ky vendim i lë pa shërbime shëndetësore banorët e disa fshatrave të kësaj komune.
Në një reagim në Facebook, Nevzati ka bërë të ditur se ambulanta, e cila sipas tij ka ofruar shërbime për më shumë se 70 vjet, është mbyllur, ndërsa banorët e Kishnapoles, Gadishit, Sllakocit të Epërm dhe të Poshtëm, Verbicës e Zhegocit do të duhet të udhëtojnë rreth 12 kilometra deri në Bresalc për të marrë kujdesin parësor shëndetësor.
Ai e ka cilësuar të papranueshëm këtë vendim, duke theksuar se banorët e këtyre lokaliteteve përballen edhe me vështirësi sociale dhe ekonomike.
“Është e papranueshme dhe e turpshme që pas më shumë se 70 vjetësh shërbimi, ambulanta e Kishnapoles të mbyllet me një vendim të tillë, pa marrë parasysh nevojat dhe hallet e qytetarëve”, ka shkruar Nevzati.
Sipas tij, mbyllja e ambulantës ua vështirëson edhe më shumë jetën banorëve të këtyre vendbanimeve, të cilët, siç pretendon ai, rrezikojnë të detyrohen të shpërngulen drejt Gjilanit.
Nevzati ka ngritur edhe çështjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor në komunë, duke pretenduar se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan ka punëtorë të tepërt, ndërsa nuk është gjetur zgjidhje për angazhimin e një mjeku dhe një infermiereje në ambulantën e Kishnapoles.
“Pra, nuk është çështje mungese kuadri, por çështje e mungesës së vullnetit dhe e menaxhimit të gabuar të shërbimeve shëndetësore”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, asamblisti i PDK-së ka kërkuar tërheqjen e vendimit dhe rikthimin e ambulantës në funksion.
“70 vjet shërbim nuk mund të fshihen me një vendim administrativ! Shëndetësia nuk mbyllet, shëndetësia duhet të afrohet te qytetari!”, ka shkruar Nevzati.
Të rejat Lexo më shumë
Haaland largohet nga Man City? Babai i sulmuesit nuk e përjashton një gjë të tillë
Poshtë debati!
“Serbia sot u ngjan shteteve të Amerikës Latine ku fjalën e kanë kartelet e drogës” - thotë deputeti Jovo Bakiq