MSh shpenzoi mbi 356 mijë euro për udhëtime, konferenca, reprezentacion në më pak se dy vite
Administrata e Ministrisë shpenzoi 312,067 euro, kurse kabineti i ministrit Arben Vitia 44,813 euro, nga janari 2025 deri në shtator 2026
Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar 356,880.18 euro nga buxheti i shtetit për udhëtime zyrtare, vizita, konferenca, trajnime, bileta, reprezentacion, telefon dhe karburant, nga janari i vitit 2025 deri në shtator të vitit 2026, shkruan Gazeta Shneta.
Shifra del nga dy raporte zyrtare që Ministria e Shëndetësisë ia ka dhënë Gazetës Shneta përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Pjesën më të madhe të parave, 312,067.17 euro (87%), e ka shpenzuar administrata e Ministrisë. Kabineti i ministrit Arben Vitia ka shpenzuar 44,813.01 euro (13%).
Si janë llogaritur shpenzimet
Ministria i ka raportuar shpenzimet në dy dokumente të ndara:
- “Raporti i Shpenzimeve për Udhëtime Zyrtare” përfshin vizitat zyrtare, përfaqësimet, konferencat, kongreset dhe trajnimet, brenda e jashtë vendit. Sipas këtij raporti, Ministria ka shpenzuar 161,950.51 euro në 2025 dhe 57,268.84 euro nga janari deri më 23 shtator 2026.
- Tabela “Raporte 2025–2026” përfshin biletat e udhëtimit, reprezentacionin, telefoninë fikse e mobile, roaming-un dhe karburantin. Sipas saj, Ministria ka shpenzuar 93,896.09 euro në 2025 dhe 43,764.74 euro nga janari deri në qershor 2026.
Shuma totale prej 356,880.18 euro është mbledhja e këtyre dy raporteve.
2025: një çerek milioni euro
Vetëm në vitin 2025, Ministria ka shpenzuar 255,846.60 euro, nga të cilat 231,664.09 euro administrata dhe 24,182.51 euro kabineti.
Shpenzimi më i madh i vitit janë 107,264.07 euro për “vizita zyrtare, përfaqësime, konferenca dhe kongrese” të administratës. Kjo është mesatarisht rreth 8,900 euro në muaj. Raporti nuk tregon se cilët zyrtarë kanë udhëtuar, ku, as për cilat konferenca e kongrese janë paguar këto para.
Shpenzimet e administratës në 2025:
Kabineti i ministrit: më shumë karburant se e gjithë administrata
Kabineti i ministrit Vitia ka shpenzuar 24,182.51 euro në 2025 dhe 20,630.50 euro në 2026 (deri në shtator).
Për karburant, kabineti ka shpenzuar 8,558.47 euro në 2025, më shumë se e gjithë administrata qendrore e Ministrisë (7,309.28 euro). Në gjashtë muajt e parë të 2026, kabineti ka shpenzuar tashmë 7,005.44 euro për karburant, rreth 82% të shumës së të gjithë vitit paraprak.
Shpenzimet e kabinetit për udhëtime jashtë vendit në 2026 (3,944.55 euro bashkë me trajnimet) e kanë kaluar tashmë shumën e të gjithë vitit 2025.
Në 2025 kabineti nuk ka asnjë shpenzim për bileta udhëtimi, ndonëse ka paguar 2,386.79 euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
2026: shpenzime më të ulëta te administrata
Në vitin 2026 shpenzimet e administratës kanë rënë. Për vizita zyrtare, konferenca e kongrese janë shpenzuar 25,678.26 euro nga janari deri më 23 shtator, rreth 2,900 euro në muaj, krahasuar me 8,900 euro në muaj një vit më parë. Biletat e udhëtimit kanë rënë në 5,907.54 euro në gjysmën e parë të vitit.
Inspektorati ka vazhduar me trajnime: 15,611.73 euro në 2026, pas 29,933.60 eurove në 2025. Gjithsej, 45,545.33 euro për trajnime të Inspektoratit në më pak se dy vjet.
Sipas raportit, shpenzimet për udhëtime janë bërë në bazë të Rregullores (QRK) nr. 06/2023 për kompensimin e udhëtimeve zyrtare dhe shpenzimeve të përfaqësimit. Ato përfshijnë para xhepi (dieta), akomodim dhe shpenzime të tjera.