← Kthehu te Ballina
Politikë 16/10/2026 01:53

Morina inspekton punimet në autostradën “Ibrahim Rugova”, evidenton mangësi

Morina inspekton punimet në autostradën “Ibrahim Rugova”, evidenton mangësi

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, ka dalë në terren për të përcjellë nga afër ecurinë e punimeve për stabilizimin dhe sanimin e skarpateve përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”.

Përmes një postimi në Facebook, Morina ka bërë të ditur se, ndonëse punimet po zhvillohen sipas planit dinamik, gjatë inspektimit janë evidentuar mangësi në realizimin e tyre.

“Gjatë vizitës në terren, u shqyrtua ecuria e punimeve për stabilizimin dhe sanimin e skarpateve përgjatë autostradës ‘Ibrahim Rugova’”, ka shkruar Morina.

Ai ka theksuar se gjatë inspektimit janë konstatuar mangësi në zbatimin e projektit teknik dhe në respektimin e rregullave e standardeve të ndërtimit.

“Ndonëse punimet janë duke u zhvilluar në përputhje me planin dinamik, gjatë inspektimit u evidentuan mangësi në realizimin e tyre sipas projektit teknik dhe rregullave e standardeve të ndërtimit”, ka deklaruar Morina.

Zëvendësministri ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në projekt që të rrisin angazhimin dhe mbikëqyrjen profesionale, si dhe të adresojnë mangësitë e identifikuara, në mënyrë që punimet të realizohen në përputhje me projektin dhe standardet e kërkuara.

“Përparimi në realizimin e punimeve duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me cilësi, siguri dhe zbatim të përpiktë të projektit”, ka theksuar ai.

Morina ka bërë të ditur se qëllimi i ndërhyrjeve në skarpata është garantimi i stabilitetit afatgjatë dhe rritja e sigurisë për të gjithë shfrytëzuesit e autostradës “Ibrahim Rugova”.

Reklamë