Messi asiston dhe ndihmon Inter Miamin drejt një tjetër suksesi në MLS
Lionel Messi ka kontribuar me një asistim në fitoren 2-0 të Inter Miamit ndaj New York City FC, rezultat që i siguroi kampionit në fuqi një vend në fazën e play-offit të Major League Soccer (MLS).
German Berterame e zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të, duke realizuar golin e tij të tetë këtë sezon, ndërsa Rodrigo De Paul dyfishoi epërsinë pak para përfundimit të pjesës së parë, pas asistimit të Messit. Në aksionin e golit të parë, asistues ishte Luis Suarez.
Kjo ishte hera e parë që nga muaji korrik që Inter Miami arrin të regjistrojë dy fitore radhazi në kampionat. Skuadra nga Florida vjen pas triumfit 4-0 ndaj DC United, në një ndeshje ku shënuan edhe Messi dhe Suarez.
Portieri Dayne St. Clair ishte gjithashtu vendimtar në fitoren e fundit, duke pritur një penallti të Nicolas Fernandezit në minutën e fundit dhe duke siguruar ndeshjen e dytë radhazi pa pësuar gol.
Kjo ishte fitorja e dytë në kampionat nën drejtimin e trajnerit të ri, Cristian Kily Gonzalez, i cili mori drejtimin e ekipit më 16 shtator.
Inter Miami ka siguruar pjesëmarrjen në play-off për të tretin sezon radhazi. Vitin e kaluar, skuadra arriti të fitonte për herë të parë në histori titullin e MLS Cup, pasi mposhti Vancouverin në finale.
Për Messin, ky është një tjetër objektiv i rëndësishëm në një vit të veçantë.
Ylli argjentinas e udhëhoqi kombëtaren e tij drejt finales së dytë radhazi të Kupës së Botës, ndërsa një muaj më vonë i dha fund karrierës me përfaqësuesen.
Tani, ai synon ta mbyllë sezonin me një tjetër trofe në nivel klubesh.
Në ndeshjen e radhës, Inter Miami do të jetë mysafir i Atlanta Unitedit të shtunën, ndërsa New York City FC do ta presë Los Angeles FC-në.
Të rejat Lexo më shumë
“Safe City” regjistroi gati 300 shkelje në dy ditët e para të funksionimit në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër
Ushtronte dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe shkeli urdhrin mbrojtës, arrestohet burri në Malishevë
87 gramë substancë narkotike hidhen brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë