← Kthehu te Ballina
Teknologji 09/10/2026 13:01

Mbi 1.1 milion lidhje në internet janë regjistruar përmes rrjetit publik WiFi4WB në Kosovë

Mbi 1.1 milion lidhje në internet janë regjistruar përmes rrjetit publik WiFi4WB në Kosovë

Mbi 1.1 milion lidhje në internet janë regjistruar deri më tani përmes rrjetit publik WiFi4WB në Kosovë, ndërsa vetëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë regjistruar mbi 14 mijë kyçje brenda rreth gjashtë javësh.

Këto të dhëna u bënë të ditura në ngjarjen “Gati për t’u Lidhur: Festimi i përfundimit të shtrirjes së WiFi4WB në Kosovë”, ku u shënua përfundimi i shtrirjes së këtij rrjeti në 33 komuna dhe 43 lokacione të vendit.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se rezultatet e projektit nuk maten vetëm me numrin e pikave të instaluara, por edhe me përdorimin e tyre nga qytetarët, raporton KosovaPress.

Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi rëndësinë e qasjes falas në internet në hapësirat publike, duke theksuar se kjo u krijon qytetarëve mundësi më të mëdha për mësim, punësim dhe shfrytëzim të shërbimeve.

Ndërkaq, shefi i Çështjeve Politike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Getruda, e cilësoi projektin si një rezultat konkret që qytetarët mund ta shfrytëzojnë drejtpërdrejt, duke pasur qasje falas në internet në hapësirat publike.

Shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Daniel Alker, tha se projekti dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve evropianë, institucioneve të Kosovës dhe komunave.

WiFi4WB (Wi-Fi for Western Balkans) është një nismë rajonale që synon ofrimin e rrjeteve publike Wi-Fi falas dhe me shpejtësi të lartë në hapësirat publike të komunave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën.

Reklamë