← Kthehu te Ballina
Sport 21/10/2026 12:46

Luis Enrique nuk e sheh PSG-në favorit në Champions: Prilli do të jetë vendimtar

Luis Enrique nuk e sheh PSG-në favorit në Champions: Prilli do të jetë vendimtar

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, nuk e konsideron skuadrën e tij favorite absolute për ta fituar Ligën e Kampionëve, pavarësisht fitores së madhe 4-2 ndaj Barcelonës.

Pas triumfit në Paris, tekniku spanjoll foli për paraqitjen e ekipit të tij, duke vlerësuar sidomos lojën në pjesën e parë dhe aftësinë për t’u përshtatur me situatat e ndryshme gjatë ndeshjes.

“Për mua, më e rëndësishmja është mënyra se si luajtëm në pjesën e parë. Ishte fantastike. Rikuperuam shumë topa përmes presionit të lartë dhe krijuam raste të shumta. Më pas, ditëm t’i përballonim edhe momentet e vështira, duke u mbrojtur më poshtë dhe si një skuadër e bashkuar”, deklaroi Luis Enrique.

Ai theksoi se PSG-ja ka aftësinë të përshtatet vazhdimisht me kundërshtarët dhe rrethanat e lojës.

“Nuk e konsideroj PSG-në favorite”

I pyetur nëse e ndien presionin që skuadra e tij shihet si një prej pretendenteve kryesore për trofeun, Luis Enrique u përgjigj:

“Nuk më intereson, sepse nuk e konsideroj PSG-në favorite. Kjo ndeshje nuk ishte vendimtare. Muaji vendimtar do të jetë prilli, kur do të luhen ndeshjet me eliminim direkt. Deri atëherë, duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Pjesa tjetër nuk është e rëndësishme”.

Trajneri spanjoll nënvizoi se mentaliteti dhe qëndrimi i lojtarëve janë pjesë e identitetit të skuadrës, pavarësisht rezultateve.

Lucas Hernandez, ndër më të vlerësuarit

Luis Enrique foli edhe për paraqitjen e Lucas Hernandezit, i cili shënoi një gol dhe pati rol të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj Lamine Yamalit.

“Pashë një lojtar me shumë përvojë, i cili e markoi në mënyrë të jashtëzakonshme një prej futbollistëve më të mirë në botë, si Lamine Yamal. Bëri gjithçka mirë dhe e meriton këtë vlerësim. Është një lojtar i rëndësishëm për skuadrën”, tha trajneri i PSG-së.

Pas fitores ndaj Barcelonës, parisienët vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve me besim të madh, por Luis Enrique kërkon që skuadra të mos e humbasë përqendrimin dhe të vazhdojë të fitojë deri në fazën vendimtare të garës.

Reklamë