← Kthehu te Ballina
Politikë 16/10/2026 08:31

Lirohen trotuaret nga shitësit ambulantë në Mitrovicë, sigurohen tezga pa pagesë

Lirohen trotuaret nga shitësit ambulantë në Mitrovicë, sigurohen tezga pa pagesë

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, në koordinim me Drejtorinë e Urbanizmit, ka vazhduar aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve nga shitësit ambulantë.

Sipas njoftimit të Komunës, aktivitetet janë zhvilluar në kryqëzimin e rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Fatime Hetemi”, përkatësisht në hyrjen që të çon drejt tregut të qytetit.

Qëllimi i këtij aksioni është mundësimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve, ruajtja e rendit dhe sigurimi i shfrytëzimit të duhur të hapësirave publike.

Në terren kanë dalë edhe nënkryetari i komunës, Enis Osmani, dhe drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, të cilët kanë parë nga afër gjendjen në këtë lokacion.

Ndërkohë, për shitësit që ushtronin veprimtarinë në këtë pjesë, Drejtoria e Inspekcionit ka siguruar tezga pa pagesë dhe një hapësirë të përkohshme për shitje, deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të përshtatshme dhe afatgjatë.

“Hapësirat publike janë të qytetarëve. Çdo ditë me punë të mira dhe rezultate konkrete për Mitrovicën tonë”, ka deklaruar drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta.

Reklamë