Lëvizje e re e ushtrisë amerikane në Kosovë, zëvendësohet Garda Kombëtare
Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të dërgojë trupa të reja në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it, duke zëvendësuar njësitë e Gardës Kombëtare të Floridës dhe Kolorados.
Sipas njoftimit të Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, në Kosovë do të dislokohen ushtarë nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë dhe njësi mbështetëse të Divizionit të Parë të Këmbësorisë. Ata do të zëvendësojnë Brigadën e 53-të të Këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Floridës.
Po ashtu, pjesë të Brigadës së Aviacionit Luftarak të Divizionit të Parë të Këmbësorisë do të zëvendësojnë Batalionin e 2-të të Regjimentit të 135-të të Aviacionit të Gardës Kombëtare të Kolorados, raporton
Ky rotacion vjen në kuadër të përpjekjeve të NATO-s për të optimizuar strukturën e KFOR-it, pas një rishikimi të realizuar nga Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).
Sipas njoftimit, ndryshimet pasqyrojnë përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe synojnë një përshtatje graduale të misionit, në varësi të rrethanave, në mënyrë që KFOR-i të vazhdojë të jetë i gatshëm për përmbushjen e detyrave të tij. Në këtë proces, aleatët evropianë pritet të marrin përgjegjësinë kryesore, në përputhje me kalimin drejt konceptit të NATO-s 3.0.
Rotacioni shënon gjithashtu një ndryshim në mënyrën e angazhimit të trupave amerikane në Kosovë, nga njësitë e Gardës Kombëtare drejt forcave të dislokuara përmes strukturave ushtarake të teatrit të operacioneve, duke ruajtur mbështetjen e vazhdueshme për KFOR-in.
Koloneli Samuel Sargent, duke folur për përfundimin e misionit të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë, tha se shërbimi përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s në Kosovë ishte nder për ushtarët amerikanë, raporton
Ai vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të brigadës, duke shprehur bindjen se njësia e re do të vazhdojë të forcojë përpjekjet e KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ndërkaq, koloneli Jabari M. Miller, komandanti i ardhshëm i Komandës Rajonale – Lindje, deklaroi se Divizioni i Parë i Këmbësorisë dhe Regjimenti i 2-të i Kalorësisë janë të nderuar që do ta marrin përsipër këtë mision.
Ai theksoi se trupat amerikane janë të përgatitura për të punuar së bashku me aleatët dhe partnerët e NATO-s, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar përkushtimin për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se do të vazhdojnë koordinimin e ngushtë me NATO-n dhe partnerët gjatë këtij tranzicioni.
Trupat amerikane do të vazhdojnë të kontribuojnë në misionin e KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /IndeskOnline/
Të rejat Lexo më shumë
Si ta ndaloni gjakderdhjen në shtëpi? Hapat që duhet t’i dini para se të jetë vonë
Burri thyen rekordin Guinness duke kapur aeroplanë prej letre me gojë
Pyetet për referimin ndaj Villarrealit, ja si përgjigjet Mourinho