Kurti viziton familjet e Salih Mëziut dhe Idriz Rrecajt, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në Zubin Potok
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999.
Kurti bëri të ditur se vizitat u zhvilluan në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt, pasi mbetjet mortore të dy veprimtarëve u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok dhe u identifikuan javë më parë përmes analizave të ADN-së.
Mëziu dhe Rrecaj ishin pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, anëtarët e të cilit u rrëmbyen dhe u zhdukën gjatë luftës në Kosovë.
“Sot në Marinë dhe në Llaushë të Skenderajt vizituam familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e ‘Grupit të Intelektualëve’ të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë në prill të vitit 1999”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se familjet e Mëziut dhe Rrecajt, sikurse familja e Adem Beqirit, i cili u varros më 3 tetor, tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, por ende presin drejtësi.
Kurti ka rikujtuar se më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjet e tyre përballen me dhimbjen dhe ankthin e pritjes.
Ai ka kërkuar trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke e akuzuar atë për fshehjen dhe mohimin e krimeve të luftës, si dhe për mbrojtjen dhe glorifikimin e kriminelëve.
Sipas Kurtit, presioni ndërkombëtar është i domosdoshëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë dhe për vënien e drejtësisë në vend.
“Për më të dashurit e më shumë se 1.500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth”, ka shkruar Kurti, duke theksuar nevojën për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e autoriteteve serbe ndaj krimeve të luftës, duke thënë se Serbia vazhdon t’i fshehë dhe mohojë ato, ndërsa mbyll dhe klasifikon dosjet.
Të rejat Lexo më shumë
Prishtina ndalet nga Dukagjini
Kisha Ortodokse Ruse i jep bekimin partisë ruso-serbe, në fokus uniteti me Moskën
Kosova thyen rekord negativ me energjinë elektrike – Importi i rrymës trefishohet, qytetarët përballen me çmime të larta