KRU “Prishtina” paralajmëron shkyçjen e konsumatorëve me dy ose më shumë fatura të papaguara
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar konsumatorët se do të nisë shkyçjen e menjëhershme nga rrjeti të të gjithë atyre që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara radhazi.
Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj në terren tashmë kanë filluar zbatimin e masave ndaj konsumatorëve që nuk i kanë përmbushur obligimet financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Përveç shkyçjes nga rrjeti, KRU “Prishtina” ka paralajmëruar se lëndët e borxhlinjve do të procedohen te përmbaruesit privatë, çka mund të sjellë edhe shpenzime shtesë ligjore dhe tarifa për rikyçje.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që t'i shlyejnë borxhet sa më parë, në mënyrë që të shmangin këto masa.
Pagesat mund të kryhen online përmes platformës zyrtare dhe aplikacionit mobil të KRU “Prishtina”, në platformën eKosova, si dhe në pikat e Postës së Kosovës, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare.
Ndërkaq, për konsumatorët që nuk kanë mundësi ta paguajnë të gjithë borxhin menjëherë, kompania ka ofruar mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve për riprogramimin e borxhit me këste mujore.
Për këtë mundësi, konsumatorët duhet të paraqiten në sportelet zyrtare të kompanisë para se të zbatohet masa e shkyçjes.
Të rejat Lexo më shumë
Shisnin paketa televizive pa autorizim, tre persona dënohen me burg në Tiranë
KRU “Mitrovica” paralajmëron intervenime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, këto janë rrugët dhe fshatrat e prekura
Moto Guzzi dhe Napapijri prezantojnë V85 TT, një edicion special me dizajn të veçantë dhe 80 kuajfuqi