← Kthehu te Ballina
Sport 16/10/2026 22:46

Kompany e merr vendimin e fundit për Neuerin, ‘zbulohet’ se a do të startojë ndaj Leipzigut

Kompany e merr vendimin e fundit për Neuerin, ‘zbulohet’ se a do të startojë ndaj Leipzigut

Vincent Kompany ka refuzuar të tregojë se kush do të jetë titullar në portën e Bayern Munichut në ndeshjen ndaj Leipzigut nesër, të shtunën, pasi ka dyshime rreth gjendjes fizike të portierit dhe kapitenit të klubit, Manuel Neuer.

Në konferencën për media para ndeshjes, të mbajtur sot, të premten, trajneri i Bayernit tha: “Manuel nuk u stërvit dje, që do të thotë se duhet ta vlerësojmë se si ndihet dhe të shohim se cila është gjendja e tij sot. Nuk kemi më shumë informacione se kaq”.

Ai vazhdoi të shpjegonte: “Nuk dua të luaj rolin e mjekut. Lëndimi është në këmbën e tij, jo në kofshë apo në shpatull, dhe nuk do të zgjasë shumë. Nëse do të kthehet nesër apo javën e ardhshme, do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Fillimisht duhet të ndihet më mirë dhe të rikthehet në stërvitje kur të jetë në gjendje, e pastaj kjo fazë do të marrë fund”.

“Sky Sport” raporton se Bayerni ka vendosur pasditen e vonë që në portë të jetë portieri i ri Jonas Urbig. Veterani 40-vjeçar do të mungojë në udhëtimin drejt Leipzigut, pasi e ka humbur edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes.

Neuer kishte munguar për shkak të lëndimit edhe në barazimin 3-3 kundër skuadrës norvegjeze Viking.

“Manu nuk po stërvitet sot, sepse ka ndier dhimbje në këmbë”, kishte thënë Kompany në atë kohë, ndërsa Urbig e kishte zëvendësuar edhe në atë ndeshje.

E gjithë kjo vjen pas gabimit të rëndë të Neuerit në barazimin 2-2 të Bayernit kundër Augsburgut në xhiron e kaluar.

Gabimi i tij i dhuroi kundërshtarit golin më të shpejtë të pësuar ndonjëherë në Bundesligë dhe nxiti një debat të ashpër rreth asaj nëse ai ende e meriton të jetë portieri i parë i gjigantit bavarez.

Reklamë