Kompania zvicerane Nestlé paditet në SHBA për praninë e arsenikut në ushqimin për foshnje
Korporata shumëkombëshe Nestlé, me seli në Vevey të Zvicrës, po përballet me një padi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dega amerikane e kompanisë, Gerber Products, akuzohet për mashtrimin e konsumatorëve lidhur me praninë e metaleve të rënda në ushqimet për foshnja.
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, ka ngritur një padi kundër Nestlé dhe degës së saj në SHBA, Gerber Products, duke i akuzuar për mashtrimin e prindërve lidhur me praninë e metaleve të rënda toksike në ushqimet për fëmijë të markës Gerber.
Gerber pretendonte se produktet e saj ishin të sigurta, të testuara në mënyrë rigoroze dhe të rekomanduara nga pediatrit. Megjithatë, sipas padisë, analizat e vetë kompanisë zbuluan nivele të rrezikshme të arsenikut dhe plumbit, raporton Arcinfo.
Midis viteve 2017 dhe 2019, Gerber përdori 67 sasi mielli orizi që përmbanin më shumë se nëntë herë përqendrimin e arsenikut të lejuar nga qeveria federale në ujin e ambalazhuar, deklaroi prokurori i Përgjithshëm i Teksasit në një deklaratë të lëshuar të mërkurën.
Karrotat e kompanisë përmbanin deri në 17 herë nivelin e lejuar të kadmiumit në ujin e ambalazhuar, ndërsa patatet e ëmbla përmbanin gati 10 herë nivelin e lejuar të plumbit.
“Gerber rrallë testonte për merkur. Për pjesën më të madhe të asaj periudhe, kompania testonte përbërës të caktuar në vend të ushqimeve të gatshme të destinuara për konsum nga foshnjat”, tha Paxton.
Në vitin 2021, Laboratori Shtetëror i Alaskës zbuloi gjithashtu dy mostra të drithërave të orizit Gerber me nivele arseniku që tejkalonin limitin federal.
“Gerber nuk lëshoi asnjë tërheqje ose paralajmërim dhe vazhdoi të tregtonte produktet e saj. Gerber ka tërhequr produkte për shkak të pranisë së plastikës dhe rreziqeve të mbytjes, por kurrë për shkak të metaleve të rënda”, vuri në dukje prokurori i Përgjithshëm.
Sipas tij, këto metale janë neurotoksina. Agjencitë federale të shëndetit i rendisin arsenikun, plumbin dhe merkurin përkatësisht në vendin e parë, të dytë dhe të tretë, ndër substancat që paraqesin rrezikun më të madh potencial për shëndetin e njeriut.
Për më tepër, në toksikologjinë mjekësore nuk ka një prag të përcaktuar sigurie për plumbin ose arsenikun inorganik te foshnjat, nën të cilin këto substanca do të konsideroheshin plotësisht të padëmshme, transmeton
Premtimet e “thyera”
Dega e gjigantit Nestlé, me seli në Vevey të Zvicrës, u kishte premtuar prindërve se ushqimet e saj ishin të sigurta dhe i nënshtroheshin testimeve rigoroze.
“Megjithatë, analizat e saj zbuluan praninë e metaleve toksike. Kur një kompani bën premtime për ushqimin e foshnjave, unë e mbaj përgjegjëse dhe sigurohem që t’i përmbushë ato”, theksoi Paxton.
Që atëherë, Gerber ka publikuar rezultatet e testimeve përmes një kodi QR në etiketat e produkteve të saj.
“Megjithatë, përmbajtja e metaleve të rënda në ushqim ka mbetur e pandryshuar, ashtu si edhe pretendimet për sigurinë në pjesën e përparme të paketimit”, shtoi prokurori, i cili ka ngritur padinë në bazë të Aktit të Praktikave Mashtruese të Marketingut të Teksasit (DTPA).
Kur u kontaktua nga AWP, Nestlé nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment.
Një tjetër çështje që përfshin grupin zviceran
Ky nuk është rasti i parë që përfshin formulën për foshnja të grupit Nestlé, me seli në kantonin Vaud të Zvicrës.
Në fillim të vitit, kompania ndërmori një seri tërheqjesh të formulave për foshnja të kontaminuara me toksinën cereulide.
Në fillim të janarit, tërheqja preku 31 vende dhe përfaqësonte më pak se 0.5 për qind të të ardhurave të grupit.
Që atëherë, rreth 60 vende janë prekur, ndërsa raportimet për foshnja të sëmura janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht në Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, në Francë po hetohen tre raste të dyshuara të vdekjes së foshnjave që kishin konsumuar formulën e tërhequr nga tregu.
Të rejat Lexo më shumë
Historia përsëritet - ku qëndrojmë ne
Pas protestës së dhunshme mbrëmë, nis pastrimi i rrugëve të Tiranës
SHBA-ja po shqyrton mundësinë e përdorimit të “nënës së të gjitha bombave” kundër Iranit - CNN sjell detaje