← Kthehu te Ballina
Ekonomi 21/10/2026 12:18

Këto janë kompanitë e derivateve që dyshohet se e dëmtuan buxhetin për 17 milionë euro

Këto janë kompanitë e derivateve që dyshohet se e dëmtuan buxhetin për 17 milionë euro

Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Policinë e Kosovës dhe Doganat e Kosovës, kishin zhvilluar më 1 korrik 2026 një aksion kontrolli në 12 lokacione në mbarë territorin e Kosovës.

Aksioni ishte realizuar me qëllim të sigurimit të provave materiale që lidhen me një rast të dyshuar të importimit të ujit në vend të naftës.

Sipas burimeve të IndeksOnline brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës, nëntë biznese të derivateve dyshohet se kanë shkaktuar shmangie tatimore në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh, ndërsa dëmi i përgjithshëm për buxhetin e Kosovës, duke përfshirë ndëshkimet dhe interesat, vlerësohet të arrijë në rreth 17 milionë euro.

Pas sekuestrimit të provave materiale, prokurorja e rastit, në konsultim me institucionet e zbatimit të ligjit, kishte autorizuar Departamentin e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në ATK që të trajtonte dyshimet për shmangie tatimore për periudhën 2021–2025. Sipas informatave, hetimet tatimore përfshijnë nëntë biznese, për të cilat janë evidentuar këto vlera të dyshuara të shmangies tatimore:

Extra Petrol SH.P.K. – 1.2 milionë euro

Standard Petrol SH.P.K. – 2 milionë euro

Kosovo-Olim SH.P.K. – 1 milion euro

Fariz Mazrek BPo Petroll – 4.6 milionë euro

Euro Kos-Petroll SH.P.K. – 470 mijë euro

Seticomerce SH.P.K. – 563 mijë euro

Cini Oil SH.P.K. – 780 mijë euro

Veda 2 SH.P.K. – 1.6 milionë euro

Saso Group SH.P.K. – 100 mijë euro

Bazuar në provat e siguruara nga Prokuroria, Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe Hetimet Tatimore të ATK-së, ndaj rasteve që lidhen me importin e derivateve të naftës është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për dyshimet për shmangie nga pagesa e tatimeve, në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh, duke përfshirë ndëshkimet prej 25 për qind, interesin për pagesat e vonuara të tatimeve dhe ndëshkimet e tjera, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar buxhetit të Kosovës vlerësohet të jetë rreth 17 milionë euro.

IndeksOnline kishte raportuar për aksionin më 1 korrik 2026.

Reklamë