Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton nesër për Kosovën, në fokus situata e sigurisë dhe bllokada institucionale
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet të martën, më 20 tetor, në orën 21:00, për të shqyrtuar raportin gjashtëmujor të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Raporti përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti, ndërsa mbledhja e fundit ku ishte shqyrtuar raporti për Kosovën ishte mbajtur më 9 prill.
Në raport thuhet se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur stabile, por theksohet se bllokada institucionale ka vazhduar dhe përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka mbetur i kufizuar.
Dokumenti trajton edhe zhvillimet në fushën e drejtësisë, përfshirë arrestimin e disa personave serbë të dyshuar për krime lufte dhe dënimin e tre personave për sulmin terrorist në Banjskë.
Një tjetër çështje e përfshirë në raport është mbyllja e institucioneve paralele serbe që kanë funksionuar ilegalisht në Kosovë.
Raporti përmend gjithashtu njoftimin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër, si dhe përfshirjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit pritet të jetë një mundësi për shqyrtimin e zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së përfshirë në raport.
Të rejat Lexo më shumë
Irani thotë se gjatë luftës me SHBA-në dhe Izraelin u shkatërruan 20 deri në 30 aeroplanë
Klan Shqipëria: Rama po përgatit “listë të zezë” për protestuesit e dhunshëm, synohet t’u ndalohet hyrja në BE
FIFA ka njoftuar për dënimet e dy binjakëve dhe një lojtari të Egjiptit, për veprimet pas ndeshjes me Argjentinën