Karakter dhe tri gola në fund, Kosova triumfon ndaj Gjeorgjisë në futsall
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka shënuar një fitore të madhe ndaj Gjeorgjisë, duke triumfuar me rezultat 3-2 në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Përfaqësuesja kosovare bëri një përmbysje të jashtëzakonshme, pasi pjesa e parë përfundoi me epërsinë 2-0 të vendasve. Chimakadze shënoi në minutën e katërt, ndërsa Svanidze realizoi golin e dytë në minutën e 20-të.
Megjithatë, Kosova nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë tregoi karakter të madh. Jeton Rukovci ngushtoi rezultatin në minutën e 33-të, ndërsa Drilon Maxharraj barazoi shifrat katër minuta më vonë.
Kur ndeshja po i afrohej fundit, Mërgim Dervishaj shënoi në minutën e 40-të, duke kompletuar përmbysjen dhe duke i siguruar Kosovës një fitore të rëndësishme në garën për kualifikim në Botëror.
Skuadra e drejtuar nga Agon Ramadani kishte kaluar me sukses edhe raundin e parë të kualifikimeve, ku kishte regjistruar fitore ndaj Austrisë dhe Gjibraltarit, si dhe një barazim kundër Malit të Zi.
Në raundin e dytë, që po zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë, Kosova bën pjesë në grup me përfaqësuesen vendase dhe Italinë.
Të rejat Lexo më shumë
Universitetet zvicerane përgatiten për një rritje shqetësuese të numrit të studentëve deri në vitin 2035
Klekovski: Presim kredi prej 195 milionë eurosh për përfundimin e projekteve në spitalin e Tetovës, Shtipit dhe Kërçovës
Një punonjës saudit akuzohet për vendosjen e një pajisjeje përgjimi në zyrën e OpenAI – zbulohen detaje