Kanalizimi i prishur prej një jave në Rrugën B në Prishtinë, banorët ankohen për erën e rëndë
Kanalizimi në një pjesë të Rrugës B në Prishtinë ka rreth një javë që është prishur, duke shkaktuar erë të rëndë dhe shqetësim te qytetarët që frekuentojnë këtë zonë.
Qytetarët thonë se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar, ndërsa theksojnë se problemi është përsëritur disa herë edhe më parë.
Tafil Zena e ka cilësuar gjendjen shqetësuese, duke thënë se dëmtimet në këtë pjesë të rrugës po përsëriten pas ndërhyrjeve të mëparshme.
“Veç i montojnë edhe brenda dy jave, 10 dite kërset betoni edhe bëhet kështu, qe ku i ke, rend shkojë dhe është njëjtë. Tmerr është kjo, infeksion është”, ka deklaruar Zena.
Edhe qytetari Remzi Cakolli ka shprehur pakënaqësi për gjendjen, duke theksuar se era e rëndë po ua vështirëson qëndrimin në këtë pjesë të qytetit.
“Kjo është tmerr, me llogaritë Rrugën B si ka qenë dhe ku është. Shumë era e rëndë, duhet me u rregullu. Qe shumë herë po përsëritet ky problem”, ka thënë Cakolli.
Ndërkohë, një qytetare, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa për zgjidhjen e problemit.
“Shumë, shumë vështirësi, nuk di tjetër çfarë të them. Patjetër Komuna duhet të ndërmerr hapa”, është shprehur ajo.
KosovaPress ka provuar të marrë një deklaratë nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje. /Kp/
Të rejat Lexo më shumë
Sulmohet me gurë dhe sende të forta selia e PS, policia shpërndan turmën
Një kontejner mbeturinash, i shtyrë nga një ari në Ankara, u përplas me një makinë të parkuar
Siljanovska-Davkova priti në takim pjesëmarrësit në ekspeditën ndërkombëtare “Vrello 2026"