← Kthehu te Ballina
Sport 27/10/2026 18:47

Jadon Sancho i ofrohet klubit të Championshipit, si alternativë e klubit të La Ligës

Jadon Sancho i ofrohet klubit të Championshipit, si alternativë e klubit të La Ligës

Jadon Sancho mund të rikthehet në futbollin anglez, pasi ish-ylli i Manchester Unitedit dhe kombëtares së Anglisë, i cili aktualisht është pa klub, raportohet se i është ofruar një skuadre të Championshipit, pas interesimit të mëparshëm nga Getafe në La Liga.

Sancho ka mbetur pa klub që nga fundi i qershorit, kur i skadoi kontrata me Manchester Unitedin.

Pavarësisht se ishte nën kontratë me klubin anglez, ish-reprezentuesi i Anglisë i kaloi dy vjet e gjysmë të fundit në huazim te Borussia Dortmundi, Chelsea dhe Aston Villa, duke ndihmuar këtë të fundit ta fitonte Ligën e Evropës sezonin e kaluar.

Pavarësisht kontributit pozitiv në skuadrën e Unai Emeryt, klubi nga Midlands vendosi të mos e transferonte përfundimisht 26-vjeçarin, duke e lënë atë pa klub dhe pa kontratë.

Më herët u raportua se skuadra spanjolle Getafe i kishte ofruar Sanchos një kontratë me pagë prej rreth 10 mijë funtesh në javë.

Kjo është një shumë dukshëm më e ulët sesa paga prej 300 mijë funtesh në javë që ai e merrte gjatë kohës te Manchester Unitedi. Megjithatë, besohet se futbollisti po shqyrton mundësi të tjera.

Të martën, më 26 tetor, mediumi “talkSPORT” raportoi se Sancho u është ofruar shërbimeve të West Ham Unitedit, skuadër që aktualisht garon në Championship, kategorinë e dytë të futbollit anglez.

Përfaqësuesit e futbollistit thuhet se kanë kontaktuar edhe klube të tjera angleze, në përpjekje për t’ia gjetur një destinacion të ri.

West Hami renditet në vendin e tretë në Championship pas 12 ndeshjeve, pasi sezonin e kaluar u përjashtua nga Premierliga.

West Hami do ta vazhdojë kampanjën në Championship më 31 tetor, kur në shtëpi do të përballet me West Bromwich Albionin.

Reklamë