← Kthehu te Ballina
Sport 31/10/2026 12:32

Jack Grealish mund të përballet me katër ‘dënime’ ekstreme, pasi nuk u paraqit në stërvitje për Evertonin

Jack Grealish mund të përballet me katër ‘dënime’ ekstreme, pasi nuk u paraqit në stërvitje për Evertonin

Jack Grealish mund të përballet me një sërë masash ndëshkuese, pasi u la jashtë skuadrës së Evertonit për ndeshjen e fituar ndaj Newcastle Unitedit në Carabao Cup, për shkak të një “shkeljeje të rregullave disiplinore të klubit”.

Grealish, i cili është i huazuar tek Evertoni nga Manchester City për sezonin e dytë radhazi, u përjashtua nga lista e lojtarëve të përzgjedhur nga David Moyes, pas shkeljes së disiplinës së klubit.

Është raportuar gjerësisht se futbollisti kishte munguar në stërvitje pa marrë paraprakisht lejen e klubit.

Pavarësisht mungesës së tij, Evertoni triumfoi bindshëm ndaj Newcastle Unitedit.

Golat e James Garner, Hayden Hackney dhe Thierno Barryt i siguruan skuadrës kalimin në çerekfinale, ku do të përballet me ekipin e League Two, Fleetwood Town.

Pas ndeshjes, Moyes refuzoi të jepte më shumë detaje rreth shkeljes disiplinore.

“Ishte një vendim i klubit. Unë e mbështes këtë vendim. Është diçka për të cilën nuk dua të flas shumë”, deklaroi ai.

“Një gjë që duhet theksuar për Evertonin është se klubi ka vlera shumë të mira”, shtoi Moyes.

“Të gjithë lojtarët i respektojnë dhe i pranojnë vlerat që ne i vendosim, si dhe pritshmëritë tona ndaj tyre, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Nga ky këndvështrim, mendoj se lojtarët kanë bërë një punë të shkëlqyer sonte”, shtoi ai.

Grealish kishte munguar edhe në humbjen e Evertonit ndaj Arsenalit fundjavën e kaluar, ndërsa ende nuk dihet nëse do të rikthehet në skuadër për udhëtimin e së hënës drejt Newcastle.

Një nga opsionet më të mundshme është gjoba financiare, megjithëse kjo vështirë se do të ndikonte shumë te Grealish, duke pasur parasysh se raportohet se ai përfiton 300 mijë funte në javë.

Moyes ka treguar edhe më herët se nuk toleron mungesën e disiplinës. Këtë qëndrim e kishte dëshmuar gjatë periudhës së tij të parë tek Evertoni, nga viti 2002 deri në vitin 2013.

Në vitin 2007, ai e suspendoi anësorin holandez Andy van der Meyde për shkelje të disiplinës së klubit dhe i shqiptoi gjobën maksimale.

Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2012, kur Royston Drenthe u paraqit me vonesë në stërvitje.

Moyes e dërgoi në shtëpi dhe i kërkoi të qëndronte larg klubit, vetëm pak ditë para ndeshjes së Evertonit kundër Liverpoolit në gjysmëfinalen e FA Cup.

Në vitin 2009, Moyes e la jashtë skuadrës Joleon Lescottin para një ndeshjeje në Ligën e Evropës, duke thënë se qëndrimi i mbrojtësit e kishte zhgënjyer atë dhe bashkëlojtarët e tij.

Trajneri skocez ka përdorur edhe stërvitjen individuale si formë ndëshkimi.

Në vitin 2012, Marouane Fellaini u gjobit me pagën e dy javëve dhe u detyrua të zhvillonte një seancë të vetme stërvitore me Moyesin, pavarësisht se atë ditë lojtarët e kishin pushim.

Ky ndëshkim erdhi pasi belgu kishte goditur me kokë mbrojtësin e Stoke Cityt, Ryan Shawcross.

Pas asaj ngjarjeje, Fellaini kishte treguar: “Më kujtohet kur u suspendova pas ndeshjes me Stoke. Ai ua kishte dhënë të gjithëve ditën e lirë – të gjithëve: lojtarëve dhe gjithë stafit – por unë duhej të shkoja në qendrën stërvitore për të zhvilluar një seancë me të. Ishim vetëm unë dhe ai, dhe nuk është aspak e lehtë të shkosh në qendrën stërvitore për t’u përballur me të në atë mënyrë. E kuptoja vendimin e tij, sepse e dija që kisha bërë një gabim, por nuk është e lehtë kur e di se e ke zhgënjyer trajnerin. Vetëm fakti që duhej të shkoja atje dhe ta shikoja në sy ishte i vështirë!”.

Ndoshta shembulli më ekstrem i mënyrës së ashpër të Moyesit për të vendosur disiplinën ndodhi në janar të vitit 2010.

Në atë kohë, Moyes vendosi ta kthente sulmuesin brazilian Jô te klubi i tij, Manchester City, pasi futbollisti kishte munguar në stërvitje dhe kishte udhëtuar drejt Rio de Janeiros pa marrë lejen e klubit.

“Jô nuk u paraqit në klub gjatë periudhës së Krishtlindjeve, prandaj e gjobitëm dhe e suspenduam. Më pas e riktheva, bisedova me të dhe ua shpjegova lojtarëve se do t’i jepja edhe një mundësi. Ai u stërvit me ne javën e kaluar. Por të hënën përsëri nuk u paraqit në stërvitje, kështu që nuk e di se sa mundësi të tjera mund t’u jap njerëzve. Mendova se kjo do të krijonte vetëm përçarje te lojtarët, të cilët mendonin se ishte vendimi i duhur që ta rikthenim pas suspendimit. Por, kur ai nuk u paraqit në punë të hënën, kjo ishte pika e fundit”, kishte deklaruar Moyes.

Toyota Motor Europe ka shitur gjithsej 936.042 automjete Toyota dhe Lexus gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026,...

Reklamë