Ja sa shpenzoi Qeveria e Kosovës për investime kapitale sipas GAP-it
Gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2026, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar vetëm 225.5 milionë euro nga 750.9 milionë euro buxhet të planifikuar për investime kapitale, pra 30% të buxhetit.
Sipas Institutit GAP, investimet kapitale përfshijnë projekte si rrugë, shkolla, spitale dhe infrastrukturë që nxisin zhvillimin ekonomik, transmeton KosovaPress.
“Në nëntë muajt e parë të vitit 2026, Qeveria Qendrore e Kosovës ka shpenzuar vetëm 225.5 milionë euro nga 750.9 milionë euro buxhet të planifikuar për investime kapitale, pra 30% të buxhetit”, thuhet në publikimin e Institutit GAP.
Gjithashtu GAP, ka prezantuar edhe një infografikë ku paraqitet realizimi i investimeve vetëm nga Qeveria Qendrore, pasi që sipas GAP, investimet kapitale në nivelin lokal nuk e paraqesin drejt situatën, meqë një pjesë e madhe e buxhetit të kapitaleve është duke u përdorur për të paguar obligime gjyqësore (përfshirë edhe ato për kontratën kolektive). Si dhe nuk përfshihen investimet kapitale nga grantet e përcaktuara të donatorëve.
Sipas GAP-it, del se në nëntë mujorin e parë të këtij viti investimet kapitale janë për 3 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Dje kryeministri Albin Kurti ka përmendur se me buxhetin e vitit 2027, rreth 1 miliard euro do të jenë të destinuara vetëm për investime kapitale. Qeveria e Kosovës ende nuk ka proceduar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, ani se sipas afateve ligjore, afati I fundit ishte 31 tetori. Kurti ka paralajmëruar se të hënën do të bëjnë propozim buxhetin për vitin 2027. Buxheti i vitit 2026 ishte rreth 4 miliardë euro.
Të rejat Lexo më shumë
Policia në Ferizaj nis fushatën për sigurinë në trafik gjatë dimrit, apel shoferëve për kujdes
Zbulohet lojtari që nuk iu përgjigj telefonatave të Sergen Yalçınit
Jose Mourinho thyen heshtjen lidhur me polemikën e Kylian Mbappe-së në Kinë!