Iliana Iotova kryeson në sondazhet pas votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Bullgari
Sipas sondazheve të kryera pas votimit, raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Bullgari duket se po çon drejt fitores së kandidates në detyrë, Ilijana Iotova.
Parashikimet fillestare sugjerojnë se Iotova, kandidatja e partisë në pushtet të qendrës së majtë "Bullgaria Progresive" (PB), mund të sigurojë 52% të votave.
Nëse ky rezultat konfirmohet zyrtarisht, ajo do të bëhet gruaja e parë e zgjedhur në krye të shtetit bullgar.
Ish-kryeministri i përkohshëm dhe rivali i saj, Andrej Gjurov – i mbështetur nga partitë opozitare reformiste pro-perëndimore – raportohet se ndodhet pas saj, me rreth 45% të votave.
Lufta në Ukrainë, jo larg Bullgarisë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e këtij vendi, i cili ndodhet në krahun lindor të NATO-s.
Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, Iotova bëri thirrje vazhdimisht për një zgjidhje paqësore për Ukrainën përmes negociatave me Rusinë.
Ajo deklaroi se dëshiron të jetë një "Presidente e Paqes" për Bullgarinë.
Gjatë fushatës, Gjurov u shpreh në favor të një afrimi më të madh me partnerët perëndimorë dhe një mbështetjeje më të fortë për Ukrainën përballë luftës agresive të Rusisë.
Ky votim ishte prova e parë e madhe për partinë "Bullgaria Progresive" – e cila mbështet Jotovën dhe njihet për qëndrimet e saj miqësore ndaj Moskës – parti kjo e lidhur me kryeministrin Rumen Radev.
Politikanja 62-vjeçare mori detyrën presidenciale në janar, kur Radev dha dorëheqjen për të kandiduar për në parlament.
Vëzhguesit presin që ajo të vazhdojë politikën e Radevit: ta mbajë Bullgarinë në rrugën e saj evropiane, duke mbështetur njëkohësisht marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe heqjen e sanksioneve.
Zgjedhjet në këtë vend të BE-së, në Evropën Juglindore, u hijezuan nga konflikti në Ukrainë.
Në zonën ekonomike bullgare në Detin e Zi – si dhe në atë të Rumanisë fqinje – sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare janë bërë gjithnjë e më të shpeshta gjatë javëve të fundit.
Pozicioni i presidentit në Bullgari është kryesisht ceremonial. Kreu i shtetit nuk ka kompetenca ekzekutive dhe të gjitha politikat kryesore duhet të miratohen nga parlamenti; megjithatë, zgjedhja e drejtpërdrejtë i jep presidentit një autoritet më të madh politik.
Presidenti është komandant i forcave të armatosura, ka të drejtën e vetos ndaj ligjeve, nënshkruan traktate ndërkombëtare dhe emëron ambasadorë.
Presidentët në Bullgari zgjidhen drejtpërdrejt për një mandat pesëvjeçar dhe mund të shërbejnë për jo më shumë se dy mandate.
Të rejat Lexo më shumë
Deputetja e OBRM-PDUKM-së: VLEN luajti rolin e "Kalit të Trojës" në favor të BDI-së
Tragjedi në Florida, rrëzohet avioni privat – 9 persona humbin jetën
Ministria e Infrastrukturës hap tender 7.2 milionë euro për rrugët e Kosovës, parashihen sinjalizim, semaforë dhe ndriçim publik