IHDNj kërkon veprime urgjente dhe hetim për 64 minatorët e ngujuar në Trepçë
Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) shpreh shqetësim të thellë dhe kërkon reagim të menjëhershëm për ngujimin e 64 minatorëve në minierën e StanTërgut. Sipas informacioneve nga terreni, minatorët ndodhen nën tokë, të shpërndarë në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, në thellësi që arrijnë deri në rreth 645 metra.
IHDNj kërkon nga të gjitha institucionet dhe ekipet përgjegjëse që të angazhohen maksimalisht për shpëtimin dhe nxjerrjen e sigurt të të gjithë minatorëve. Jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë prioriteti absolut. Çdo minutë është e rëndësishme dhe operacioni i shpëtimit duhet të zhvillohet me urgjencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë.
“Sipas informacioneve të deritanishme, dalja e minatorëve po realizohet përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet përkatëse po punojnë për të mundësuar nxjerrjen e sigurt të të gjithë punëtorëve. Është e domosdoshme të sqarohen plotësisht rrethanat e rastit, shkaqet e incidentit dhe nëse të gjithë mekanizmat, pajisjet dhe procedurat e sigurisë kanë funksionuar siç duhet”, thuhet në reagim.
Njëkohësisht, IHDNj kërkon nga Prokuroria kompetente që të nisë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Hetimi duhet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë, neglizhencë institucionale, mosfunksionim të pajisjeve apo përgjegjësi të tjera individuale dhe institucionale. Përgjegjësit, nëse konstatohen, duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.
Kjo situatë rikthen edhe një herë në vëmendje rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin përballen minatorët gjatë punës së tyre, qindra metra nën tokë.
IHDNj i ka ngritur këto shqetësime edhe më herët përmes hulumtimit “Punëtorët e padukshëm të Nëntokës”, në të cilin janë dokumentuar kushtet e vështira të punës, ekspozimi ndaj rreziqeve profesionale, si dhe problemet që lidhen me shëndetin dhe sigurinë në punë të minatorëve.
“Gjetjet e këtij hulumtimi kanë treguar se minatorët përballen çdo ditë me ekspozim ndaj pluhurit, gazrave, ngarkesave të rënda fizike dhe rreziqeve të tjera që mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin dhe jetën e tyre. Fakti që dhjetëra punëtorë ndodhen në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, deri në rreth 645 metra nën tokë, është një tjetër alarm se siguria e minatorëve nuk mund të bëhet temë vetëm kur ndodh një incident. Ajo duhet të garantohet çdo ditë, në çdo ndërrim dhe në çdo metër nën tokë. Ky rast nuk duhet të mbyllet me një raport formal apo me fajësime të përgjithshme. Siguria e minatorëve kërkon përgjegjësi konkrete, transparencë të plotë dhe masa të menjëhershme për parandalimin e rasteve të ngjashme”, thuhet në reagim
IHDNj kërkon që, pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, të bëhet një vlerësim i plotë i gjendjes së minierës, pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe procedurave të sigurisë. Institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë zbatimin e standardeve të sigurisë në punë dhe mbrojtjen e jetës së çdo minatori.
Të rejat Lexo më shumë
Friburgu, kantoni i parë në Zvicër që ofron ndihmë financiare për fermerët e prekur nga thatësira
Filipçe: Mickoski nuk di dhe nuk dëshiron të udhëheq shtet multietnik
Hansi Flickut i “shtohet” një super mesfushor, De Jong është rikthyer në stërvitje